RMV, votimi i parë për ndryshime kushtetuese do të jetë më 18 gusht

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç njoftojnë nga […]

Korrik 19, 2023 - 17:00
 0  10
RMV, votimi i parë për ndryshime kushtetuese do të jetë më 18 gusht
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç njoftojnë nga Kuvendi Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.

“E informojmë opinionin se në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, Kryetari tani më e ka caktuar seancën plenare më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.   Në pajtim me dispozitat ligjore, Komisioni duhet të debatojë sipas Propozimit më së shumti 10 ditë pune. Duke e pasur parasysh se 2 Gushti është ditë jo pune, a më 27 korrik tani më ka seancë të caktuar për pyetje të deputetëve, pritet që puna e Komisionit për Çështje Kushtetuese të përfundojë ndërmjet 7 dhe 9 gusht. Pas çka, Propozimi do të shqyrtohet në seancë plenare, në të cilën debati zgjat deri në 10 ditë pune”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ata shtojnë se në rast se me shumicë dy të tretat, miratohet nevoja për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi miraton Konkluzion dhe e dërgon materialin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kuvendi, me Konkluzion e cakton afatin në të cilin parashtruesi (Qeveria), përpilon tekst të propozim amendamenteve të Kushtetutës, të cilin e dërgon te Kryetari i Kuvendit, pas çka Kuvendi, në procedurë të njëjtë në kontekst të afateve, do të debatojë për to.

Rikujtojmë se puna e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese dhe seanca plenare do të transmetohen drejtpërdrejtë në TV kanalin e Kuvendit dhe qytetarët do të kenë qasje të përhershme në punën e Kuvendit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.