Seanca përgatitore e ligjit për gjuhë pritet të mbahet nga 19 deri më 21 mars, paralajmëroi Kostadinovski

Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhë pritet të mbahet në periudhën nga data 19 deri më 21 mars, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, raporton MIA. Ai informoi se nesër gjykata do të ketë takim pune të rregullt, në të cilën do të vërtetohen listat e pjesëmarrësve dhe çështjeve kontestuese juridike lidhur me nismat […]

dhjetor 23, 2024 - 20:00
 0  3
Seanca përgatitore e ligjit për gjuhë pritet të mbahet nga 19 deri më 21 mars, paralajmëroi Kostadinovski
Flamujt e Maqedonisë Veriut dhe Shqipërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhë pritet të mbahet në periudhën nga data 19 deri më 21 mars, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, raporton MIA. Ai informoi se nesër gjykata do të ketë takim pune të rregullt, në të cilën do të vërtetohen listat e pjesëmarrësve dhe çështjeve kontestuese juridike lidhur me nismat e këtij ligji.

“Pres se gjatë ditës së nesërme të vërtetohen edhe çështjet kontestuese dhe juridike dhe lista e pjesëmarrësve. Ne kemi propozim nga gjykatësi raportues, por secili është i lirë të propozojë”, tha Kostadinovski.

Shtoi se janë propozuar më shumë se 20 emra, ndërsa bëhet fjalë për ekspertë të së drejtës kushtetuese, të drejtës ndërkombëtare, të drejta të njeriut dhe ish-gjykatës të Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese bëri me dije se është kërkuar këshilla miqësore nga Komisioni i Venedikut dhe informoi se këshilla miqësore do të miratohet në seancën e 14 dhe 15 marsit.

“Çka do të thotë se seanca përgatitore mund të pritet në ditët në vijim. Sapo të miratohet këshilla miqësore në datat 14-15, ajo do të bëhet publike në datën 17 ose 18. Ne i kemi kërkuar një përfaqësuesi nga Komisioni i Venedikut që të vijë në seancën përgatitore për të shpjeguar këshillën miqësore. Pritjet e mia janë që seanca përgatitore të mbahet në ato ditë, 19-21”, shtoi ai.

Ai shprehu keqardhjen për mungesën e disa kolegëve të tij në seancë, por theksoi se nuk do të lejojë askënd të shantazhojë apo bllokojë punën e Gjykatës Kushtetuese.

“Kuorumi minimal për punën e gjykatës është pesë gjyqtarë, vendimet merren me pesë vota, përveç nëse kërkohet shumicë e cilësuar. Seanca përgatitore do të mbahet nëse plotësohet numri minimal i gjyqtarëve të pranishëm në punë”, tha Kostadinovski.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetori nuk mori vendim rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët. Në seancë u soll vendim për një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.