Shefi i Zyrës së BE në Beograd: Veprimet e Kosovës çojnë në tensione, duhet të kthehemi tek zbatimi i Ohrit
Shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret, i ka cilësuar si të pakoordinuara veprimet e fundit që Qeveria e Kosovës ka ndërmarr në Veri të vendit, duke thënë se të njëjtat krijojnë tensione në terren, raporton Gazeta Express. Ai ka thënë se më e rëndësishmja është kthimi tek zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit […]
Shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret, i ka cilësuar si të pakoordinuara veprimet e fundit që Qeveria e Kosovës ka ndërmarr në Veri të vendit, duke thënë se të njëjtat krijojnë tensione në terren, raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se më e rëndësishmja është kthimi tek zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne kemi parë që Prishtina ka ndërmarrë një sërë veprimesh të pakoordinuara që nuk kontribuojnë në progres dhe krijojnë tensione në terren. Ne kemi qenë shumë të qartë në deklaratat tona në publik, në biseda private, por kryesorja është se ne duhet t’i kthehemi zbatimit të asaj që është rënë dakord vitin e kaluar dhe vitet e mëparshme dhe të zbatojmë të gjitha obligimet, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së për RTS.
Siç thotë ai, normalizimi i marrëdhënieve është një nga çështjet kyçe të integrimit evropian dhe ka deklaruar se pret progres nga dy shtetet në kontekst të përfitimit nga Plani i Rritjes.
“Ne jemi të sigurt se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka qenë gjithmonë një faktor kyç në negociata dhe do të mbetet i tillë. Edhe në kuadër të Planit të Rritjes presim që të dyja palët t’i përmbushin të gjitha obligimet në rrugë për normalizimin, për të përmbushur të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë edhe atë të vitit të kaluar”, ka potencuar Giaufret./Express