Shënon rritje numri i pacientëve me sëmundje të zemrës
29 shtatori shënon ditën botërore të shëndetit të zemrës. Kjo fushatë shërben për informimin në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në gjithë botën. Edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, është rritur numri i pacientëve me sëmundje të zemrës. Numri i pacientëve me sëmundje të zemrës ka shënuar rritje […]
29 shtatori shënon ditën botërore të shëndetit të zemrës. Kjo fushatë shërben për informimin në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në gjithë botën. Edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, është rritur numri i pacientëve me sëmundje të zemrës.
Numri i pacientëve me sëmundje të zemrës ka shënuar rritje gjatë këtij viti. Për çdo ditë Klinika e Kardiologjisë trajton afërsisht 14 pacientë me sëmundje të tilla. E mosha që po rrezikohet më së shumti nga sëmundjet e zemrës, sipas kardiologëve, është ajo 35 deri në 45-vjeçare.
“Fillimisht ankohen nga dhimbja e gjoksit dhe lodhja, pastaj vjen deri te më e keqja sulmi në zemër apo mbyllja e një prej arteries kryesore”, tha Fisnik Veliu, kardiolog.
E në Ditën Botërore të Zemrës, Veliu ka treguar se cilët janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.
“Ata që nuk kontrollojnë yndyrën në gjak janë më të prekur, që nuk kontrollojnë tensionin por edhe trashëgimia familjare, mungesa e aktivitetit fizik”, tha Veliu.
Edhe Ministria e Shëndetësisë sot ka dalë me njoftim zyrtarë ku thuhet se kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e popullatës mbi faktorët që kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe për rëndësinë e masave parandaluese që mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e këtyre sëmundjeve.
Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, me rreth 20.5 milionë jetë të humbura çdo vit thuhet gjithashtu në njoftim./RTK