S’ka mbetur fshat pa problem me transportin publik
Në mungesë të transportit publik, vajzat e fshatit Matkë udhëtojnë mbi 5 kilometra rrugë në këmbë që të shkollohen. Nxënësit e fshatit Bllacë dalin në qendër të fshatit që të presin ndonjë nga banorët se a do t’i dërgojnë deri tek shkollat e mesme ku ato mësojnë. E ngjashme është situata edhe në fshatin Luboten. […]
Në mungesë të transportit publik, vajzat e fshatit Matkë udhëtojnë mbi 5 kilometra rrugë në këmbë që të shkollohen. Nxënësit e fshatit Bllacë dalin në qendër të fshatit që të presin ndonjë nga banorët se a do t’i dërgojnë deri tek shkollat e mesme ku ato mësojnë. E ngjashme është situata edhe në fshatin Luboten. Mbi 200 nxënës presin çdo ditë këtu në qendër të fshatit se a do t’i dërgojnë deri tek shkollat e mesme ku ato mësojnë.
Banorët e Lubotenit që takuam në qendër të fshatit duke ndërtuar me vetë iniciativë murin që ishte rrënuar, thonë se janë harruar edhe nga pushteti lokal por edhe nga ai qendror.
“Këshilltarët tonë nuk e dinë ku është Luboten ndërsa kur vjen koha e votimeve ecin këndej, ka nxënësit që shkojnë paradite dhe mbas ditë i bartin me vetura, çdo njëri angazhohet t’i barte fëmijët. Ambulancë nuk kemi, ja shihe, 600 shtëpi as mjek nuk kemi, këtu është gati por ne të gjitha vetë nuk mund t’i bëjmë, ndërto muret, ndërto ambulancë, ndërto xhamia. Ku të shkojmë më parë. Të gjitha që janë bërë nga fshati e komuna asgjë nuk punon”, tha Mamer Musliu – Banor i Lubotenit.
“Nxënësit, shkojnë në shkollë kur i dërgojnë prindërit që kanë vetura. Tjerët në mëshirë të fatit, kush kalon ndonjë fshatar i merr, kush nuk kalon mbesin pa mësim. Unë personalisht çdo ditë e dërgoj djalin për në shkollë, mungesa marrin nga arsimtarët sepse ata nuk e dinë se si është problemi në fshat. Autobus të Ndërmarrjes Publike nuk kemi por autobus privat. Tani ku qëndron problemi a në qytet të Shkupit që nuk i lejon ne nuk e dimë”, shtoi Ahmet Ameti – Banor i Lubotenit.
Sipas banorëve të Lubotenit, rreth 350 nxënës të shkollave të mesme çdo ditë përballen me vështirësinë e transportit për në shkollë. Dalin dhe presin banorë në qendër të fshatit se kush do t’i dërgojë ose në të kundërtën mbesin në shtëpi.
“Ka diku 300 apo 350 nxënës, çdo ditë që udhëtojnë. Në cilën mënyrë, si gjendën? Ne si banorë të këtij fshati detyrohemi që të lëmë punën dhe t’i çojmë fëmijët tonë nëpër shkolla që të mos humbin orët e mësimit”, tha Refik Miftari – Banor i Lubetenit.
Në fshatin Luboten qarkullon linja me numër 47 A, e cila është linjë private. Që nga reduktimi i transportit privat, për shkak të pagesës së ulët për kilometër, linjat private qarkullojnë vetëm pas orës 17:00. Nga ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk kemi përgjigje se kur do të merr fund kaosi i transportit publik nëpër fshatra ku më së shumti pësojnë nxënësit që udhëtojnë për në shkollat e mesme./Alsat.mk