Toshkovski: Vizita e Gashit në Kosovë ka qenë e paralajmëruar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me udhëtimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, në Kosovë, e cila shkaktoi bujë në opinion. Toshkovski thotë se MPB në tre ditët e fundit ka bërë kontrolle intensive që përfshijnë rishikimin e kamerave në pikën kufitare Bllacë, kontrollimin e evidencës […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me udhëtimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, në Kosovë, e cila shkaktoi bujë në opinion. Toshkovski thotë se MPB në tre ditët e fundit ka bërë kontrolle intensive që përfshijnë rishikimin e kamerave në pikën kufitare Bllacë, kontrollimin e evidencës së sistemit të kontrollit të pasagjerëve dhe automjeteve dhe regjistrimin në librat e ngjarjeve dhe procedurat në vendkalimin kufitar.
“Është vërtetuar se plani i udhëtimit të kryetarit Gashi është shpallur në mënyrë të rregullt dhe është evidentuar në regjistrat pas njoftimit paraprak nga Ministria e Punëve të Jashtme të datës 16.08.2024. Në njoftim, përveç kryetarit të Kuvendit, janë përfshirë edhe familjarë të tij, pjesëtarë të sigurimit dhe tre automjete zyrtare të policisë”.
“Kalimin kufitar më 18 gusht 2024 në periudhën nga ora 18:40 deri në ora 18:42 nën përcjellje policore e kanë kaluar gjashtë vetura, nga të cilat tri automjete policore dhe një veturë VIP”, ka shkruar Toshkovski.
“Praktika e punës në pikën kufitare në drejtim të marrjes së masave dhe aktiviteteve të forcuara për sigurimin e delegacionit, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të korsive të qarkullimit, nënkupton që në momentin e kalimit të delegacionit, për të siguruar hapësirë pa mjete të tjera, kontrollet kufitare duhet të kryhen me regjim të relaksuar në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Kontrollin Kufitar, siç ka ndodhur në këtë rast dhe ka zgjatur për një kohë shumë të shkurtër”.
“Me kontrollet e kryera në Sistemin e kontrollit të pasagjerëve dhe mjeteve, u konstatua se kreu i delegacionit, si dhe familjarët e tij të njoftuar për largim, nuk regjistrohen në sistemin e kontrollit të pasagjerëve dhe mjeteve. Gjithashtu u konstatua se nuk është respektuar plotësisht procedura e regjistrimit të të gjithë personave dhe pasagjerëve që kalojnë pikën kufitare në sistemin e kontrollit të pasagjerëve dhe automjeteve”.
“Do të ndërmerren masa adekuate për përcaktimin e përgjegjësisë sipas Marrëveshjes Kolektive të MPB-së, për lëshimet e konstatuara në operacionin e Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Veri ndaj shefit të ndërrimit në vendkalimin kufitar”, shtoi Toshkovski.
Ai u bëri thirrje të gjithë punonjësve të policisë që të punojnë në përputhje me ligjet dhe rregullat dhe të refuzojnë çdo urdhër të kundërligjshëm apo kërkesë joparimore nga askush dhe shtoi se MPB-ja përpiqet që ligjet të zbatohen njësoj për të gjithë.