Udhëheqësit arabë përgëzojnë Presidentin Trump, çështje qendrore konfliktet në Gazë dhe Liban

Udhëheqësit arabë uruan menjëherë Presidentin e zgjedhur Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane. Disa prej tyre thonë se shpresojnë që ai do t’u japë fund konflikteve aktuale në Lindjen e Mesme, ndërsa të tjerët thonë se presin një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit. Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe Princi i kurorës

Nëntor 8, 2024 - 04:00
 0  5
Udhëheqësit arabë përgëzojnë Presidentin Trump, çështje qendrore konfliktet në Gazë dhe Liban
udheheqesit-arabe-pergezojne-presidentin-trump,-ceshtje-qendrore-konfliktet-ne-gaze-dhe-liban

udheheqesit-arabe-pergezojne-presidentin-trump,-ceshtje-qendrore-konfliktet-ne-gaze-dhe-liban

Udhëheqësit arabë uruan menjëherë Presidentin e zgjedhur Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane. Disa prej tyre thonë se shpresojnë që ai do t’u japë fund konflikteve aktuale në Lindjen e Mesme, ndërsa të tjerët thonë se presin një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit.

Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe Princi i kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Emiri i Katarit Sheik Tamim bin Hamad, uruan Presidentin e zgjedhur Donald Trump për fitoren, duke theksuar rëndësinë e forcimit të partneriteteve strategjike.

Drejtuesja e Qendrës Hulumtuese për Bashkëpunimin dhe Ndërtimin e Paqes në Bejrut, Dania Koleilat Khatib, i tha Zërit të Amerikës se gjatë zgjedhjeve, zoti Trump theksoi lidhjet personale me këta udhëheqës, krahasuar me atë, që ajo e quan, qasje më transaksionale të zotit Biden.

Sipas saj, udhëheqësit arabë duan që zoti Trump t’i japë fund luftës në Gazë dhe Liban.

“Njëri prej premtimeve kryesore të fushatës së tij ishte se do t’i jepte fund luftës në Gazë. Por si do t’i jepte fund asaj? A do t’i jepet fund me krijimin e shtetit palestinez? Nuk e dimë”, tha ajo. “Një çështje shqetësuese është nëse Netanyahu do ta sulmojë Iranin. Kjo do të jetë çështje kryesore. Menaxhimi i Iranit nuk do të jetë i lehtë për Trumpin”.

Bin Salman ka theksuar se shteti i tij nuk do të shqyrtojë përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin nëse nuk i jepet fund luftës në Gazë dhe nëse nuk krijohet shteti palestinez.

Shtetet e pasura të Gjirit i kanë forcuar lidhjet me Iranin dhe i ka dhënë garanci Republikës Islamike se nuk do ta lejojnë Izraelin të shfrytëzojë hapësirën e tyre ajrore për sulme ndaj Iranit.

Irani e minimizoi rezultatin e zgjedhjeve amerikane, duke thënë se është i gatshëm për një konfrontim me Izraelin.

Mbreti Abdullah i Jordanisë, udhëheqësi i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi, kryeministri në detyrë i Libanit Najib Makati, të cilët janë të angazhuar në negociatat për t’u dhënë fund konflikteteve aktuale, gjithashtu e uruan zotin Trump.

Analisti Osama Al Sharif në Aman thotë se beson që zoti Trump do t’i bëjë trysni Kryeministrit izraelit Netanyahu që t’u japë fund konflikteve para inaugurimit të tij si president në fillim të vitit të ardhshëm.

“Ai do të jetë shumë i drejtpërdrejt me Netanyahun… që t’i përmbyllë këto çështje para 20 janarit, ngaqë këto dy konflikte, sidomos ai në Gazë, janë bërë aq helmuese dhe janë bërë pjesë e asaj që njollosi Presidentin Biden, e së fundmi edhe Nënpresidenten Harris”, tha ai.

“Trumpi nuk ka nevojë t’a fillojë ditën e tij të parë në presidencë me lajme të vrasjeve të vazhdueshme të fëmijëve dhe spitaleve që bombardohen”, shtoi al Sharif.

Ai i tha Zërit të Amerikës se Irani do të paraqesë një sfidë të madhe për zotin Trump, i cili ka thënë se dëshiron “ta tërheqë Amerikën nga konfliktet”. Ai parashikoi që zoti Trump do t’i shtojë sanksionet ndaj Iranit.

“Më shumë sanksione. Ka mundësi që do të komunikojë me Teheranin përmes Presidentit rus Putin, i cili është aleat shumë i afërt i iranianëve. Mbetet të shihet”, tha ai.

Megjithatë, analisti Al Sharif u shpreh i shqetësuar se zoti Trump mund të njohë aneksimin e Bregut Perëndimor nga qeveria e ekstremit të djathtë të Izraeli që, sipas tij, “do të ndërlikonte gjërat në mënyrë dramatike” për palestinezët dhe Jordaninë. /VOA