UNICEF Maqedoni inkurajon publikun që të kontribuojë në konceptin e ri për arsimin e mesëm të përgjithshëm
Në këtë Ditë ndërkombëtare të arsimit, UNICEF-i e mirëpret Projekt-konceptin e publikuar së fundmi për arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe u bën thirrje të gjitha palëve në arsim të marrin pjesë në procesin e hapur të konsultimit për ta krijuar bashkërisht vizionin mbi arsimin e mesëm të përgjithshëm, transmeton Portalb.mk. Projekt-koncepti është pjesë e përpjekjeve […]
Në këtë Ditë ndërkombëtare të arsimit, UNICEF-i e mirëpret Projekt-konceptin e publikuar së fundmi për arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe u bën thirrje të gjitha palëve në arsim të marrin pjesë në procesin e hapur të konsultimit për ta krijuar bashkërisht vizionin mbi arsimin e mesëm të përgjithshëm, transmeton Portalb.mk.
Projekt-koncepti është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit për të mundësuar që arsimi të mbetet relevant dhe i përshtatshëm një botë, e cila ndryshon me shpejtësi.
Ai paraqet një udhërrëfyes sesi mësuesit mund të mbështeten me programet mësimore të modernizuara, metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe metodat e përmirësuara të vlerësimit (notimit), por edhe njëkohësisht i përshkruan kompetencat e reja thelbësore në njohuri, aftësi, qëndrime dhe vlera, të cilat nxënësit e shkollave të mesme duhet t’i fitojnë gjatë gjithë arsimit të tyre. Vlen të përmendet se Koncepti u ofron nxënësve mundësi që t’i përcaktojnë rrugët e tyre të të mësuarit, bazuar në nevojat dhe interesat e tyre individuale, përmes opsioneve më fleksibile për kombinim të mësimit në të gjitha disiplinat.
Procesi i hapur i konsultimit do t’u mundësojë të gjitha palëve të interesuara të kontribuojnë në trajtimin e sfidave kritike të arsimit. Kriza e të nxënit në vend u rikonfirmua në rezultatet më të fundit nga Trendet e studimit ndërkombëtar të matematikës dhe shkencës – ku nxënësit e klasës së katërt u renditën në vendin e 44-të në matematikë dhe atë të 47-të në shkencë nga gjithsej 58 vende pjesëmarrëse. Krijimi i përbashkët i një vizioni afatgjatë për arsimin e mesëm të përgjithshëm do të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e rezultateve të mësimit.
UNICEF-i në veçanti e mirëpret faktin që Koncepti i parashikon dhe trajton çështjet e reja në arsim, duke përfshirë potencialin transformues të IA-së dhe teknologjive të avancuara. Koncepti parashikon ta bëjë mësimin më të qasshëm, ndërveprues dhe efektiv, duke theksuar nevojën për t’i pajisur nxënësit dhe mësuesit me aftësitë për t’i zbatuar në mënyrë kritike këto teknologji. Po ashtu, UNICEF-i e mirëpret e theksimin e edukimit mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike në Projekt-koncept, duke përfshirë promovimin e mbrojtjes së mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet klimatike përmes programit mësimor dhe pjesëmarrjes aktive në nismat mjedisore.
Përveç ndryshimeve pozitive të propozuara, UNICEF sugjeron një fokus më të fortë në sigurimin e tranzicionit efektiv nga arsimi fillor në atë të mesëm, parandalimin e braktisjes së shkollës dhe sigurimin e vazhdimësisë së mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata nga komunitetet vulnerabël, përfshirë romët. Për më tepër, Koncepti duhet ta adresojë nevojën për t’ua ofruar adoleshentëve mbështetjen dhe udhëzimet e nevojshme për ta mbrojtur shëndetin e tyre fizik dhe mendor dhe për të lundruar në mënyrë të sigurt, gjegjësisht për t’i përdorur me përgjegjësi teknologjitë e avancuara. Kjo do të ndihmojë në sigurimin që shkollat të mund ta krijojnë një mjedis mbështetës, i cili e nxit suksesin akademik, zhvillimin dhe mirëqenien personale.
Meqenëse është i hapur për komente publike deri më 31 janar 2025, palët e interesuara arsimore kanë mundësinë të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të Konceptit. Kjo do të mundësojë që nxënësit të jenë të përgatitur të përparojnë në një botë të ndërlidhur, t’i vlerësojnë perspektivat e ndryshme dhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, të cilët ndërmarrin veprime drejt qëndrueshmërisë dhe mirëqenies kolektive.