Veliaj ironizon debatet brenda opozitës: Te PD-ja zihen për të nxjerrë njëri-tjetrin nga shtëpia
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar edhe sherrin brenda opozitës. Veliaj tha se PD i ngjan realityshoët “Big Brother”, ku luftojnë për të nxjerrë njëri-tjetrin nga shtëpia. “Robi që ka sy, robi që ka mendje, e sheh kush është çdo ditë duke hapur shkolla e kush duke hedhur molotovë. […]
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar edhe sherrin brenda opozitës.
Veliaj tha se PD i ngjan realityshoët “Big Brother”, ku luftojnë për të nxjerrë njëri-tjetrin nga shtëpia.
“Robi që ka sy, robi që ka mendje, e sheh kush është çdo ditë duke hapur shkolla e kush duke hedhur molotovë. Kush është çdo ditë duke hapur çerdhe dhe kopshte e kush duke djegur goma, kush është çdo ditë duke afruar njerëz e duke u thënë ejani se bashkë mund të bëjmë më mirë, dhe kush është tërë ditën duke përjashtuar njerëz. Ata janë ende në “Big Brother”. “Big Brother” ka mbaruar, por ata janë ende duke nxjerrë njerëz nga shtëpia, kush doli sot e kush doli nesër. Ne i gëzohemi 6 mijë anëtarëve që janë futur në shtëpi dhe që e kanë bërë shtëpinë tonë më të madhe, më të bukur, më të fortë dhe më të përgatitur”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se pa PS, Shqipëria nuk do të ishte sot destinacioni numër një i turizmit i të gjithë Europës.
“Programi i tyre është digj dhe xhiro gomat. Sot falë PS-së dhe lidershipit, Tirana vitin tjetër është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës për 2025. Ishte Kryeqyteti i Rinisë parvjet, ishte Kryeqyteti i Sportit vjet. Nëse dikush mendon që: Hë me se këto do kishin ndodhur! Po këtu ishte Tirana, këtu ishte Peza, këtu ishte Ndroqi, këtu ishte Vaqarri, këtu ishin! Po nuk ishin turistët se nuk vinte njeri në një vend të mbushur me plehra, nuk vinte njeri në një vend ku rriheshin politikisht kundërshtarët, nuk vinte njeri në një vend, i cili kishte humbur aq shumë kohë. Aq shumë kohë duke kaluar me Piramidat. Po të kishim vazhduar me atë lojë të sherrit e të mos ishim shkëputur në 2013-ën në Shqipërinë e madhe e në 2015-n në Tiranë për ta bërë Tiranën zonjë e Shqipërinë lule, ne nuk do të ishim kund”, tha ai.
Ai shtoi se PS arriti të menaxhojë situatën e krijuar nga tërmeti duke krijuar dy lagje të reja në Vaqarr dhe Ndroq.
Veliaj tha se shkollat e reja të ndërtuara nuk kanë asnjë dallim me ato në qytet.
“Imagjino sikur të ishin ata në krye të detyrës kur ndodhi pandemia dhe kur ra tërmeti. Imagjinoni një parti që djeg selinë e vet, do e kishte bërë dot lagjen në Ndroq, që ka dalë një mrekulli?! Do e kishte bërë dot lagjen në Vaqarr që ka dalë një mrekulli?! Lagjen e fundit që sapo hapëm në Pezë. Një parti që djeg shtëpinë e vet, e sigurt që nuk mendon dot për çatitë tona e nuk mendon dot për fshatrat tanë, kjo është diferenca e madhe. Kur mendoj që vetëm në një njësi administrative ne kemi bërë katër shkolla. Kur shikoj shkollën e re në Vaqarr, nuk dallon fare nga shkolla “Kosova”, deklaroi Veliaj.