VLEN zbuloi emrat e familjarëve të funksionarëve të BDI-së në M-NAV

Koalicioni VLEN akuzoi BDI-në për nepotizëm, duke zbuluar emrat e të punësuarve në M-NAV, të cilët janë edhe familjar të funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk. “BDI-ja e listave të zeza nuk ka lidhje me interesat e shqiptarëve, i përdor ata si mburojë për të fshehur krimin dhe nepotizmin e vet! Piskamat për […]

shkurt 20, 2025 - 21:00
 0  5
VLEN zbuloi emrat e familjarëve të funksionarëve të BDI-së në M-NAV
M-NAV. Foto: Meta.mk

Koalicioni VLEN akuzoi BDI-në për nepotizëm, duke zbuluar emrat e të punësuarve në M-NAV, të cilët janë edhe familjar të funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

“BDI-ja e listave të zeza nuk ka lidhje me interesat e shqiptarëve, i përdor ata si mburojë për të fshehur krimin dhe nepotizmin e vet! Piskamat për “deshqiptarizim” e “spastrime etnike” janë vetëm tymnajë për të mbuluar panikun nga humbja e privilegjeve dhe frikën nga drejtësia. Po të kishin menduar ndonjëherë për shqiptarët, do t’u kishin zgjidhur hallet për 20 vjet. Por çfarë bënë? Krijuan pashallëk për familjarët e tyre, rehatuan kunata e nipa në “kullotat e pushtetit” dhe shqiptarët i lanë pa punë, duke i detyruar të ikin nga vendi!”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Sipas këtij koalicioni “M-NAV është vetëm një shembull i turpshëm i kësaj piramide familjare të BDI-së, një bastion ku vetëm mbiemri i duhur të jep vend pune me rrogë të majme!”.

Në vijim, VLEN ka publikuar emrat e peronave të punësuar në M-NAV, të cilët janë familjar të funksionarëve të BDI-së:

  • Verona Grubi – kunata e Artan Grubit si udhëheqëse e Arkivit
  • Besa Halimi – kunata e Ejup Halimit si udhëheqëse e prokurimeve
  • Afërdita Halimi, Ajsere Aliu, Rumeja Osmani – familjarë të Ejup Halimit
  • Gzime Hasani – bashkëshortja e Muharrem Hasanit
  • Rejhane Osmani – motra e Bujar Osmanit
  • Arbin Veseli – nipi i Bekim Nezirit
  • Burak Ismaili – djali i Hisni Ismailit
  • Samir Bushi – djali i Nazif Bushit

“A është kjo barazia e shqiptarëve që kërkon BDI? Sigurisht që përgjigja është një JO e madhe! Ata krijuan “ndërmarrje familjare” me paratë e shtetit, ndërsa rinia shqiptare mbeti rrugëve, e papunë dhe e dëshpëruar!”, përfundon reagimin i VLEN-it.

Kujtojmë se më 5 janar të vitit 2024, disa persona, në krye me Bekim Nezirin, hynë me dhunë në M-NAV pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturimeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime. Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, bëri që Qeveria e atëhershme e RMV-së, më 9 janar, t’shkarkojë drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.