Zinxhirë marketesh në RMV kundërligjshëm u koordinuan të mos blejnë mallra nga furnitorët nëse sjellin çmime të reja
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka kryer inspektim të paparalajmëruar në katër zinxhirë tregtarë dhe në njërën nga odat tregtare. Inspektimi është kryer për shkak të dyshimit se disa zinxhirë marketesh që kryejnë tregti me pakicë të produkteve ushqimore dhe joushqimore kanë shkelur nenin 7 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon kartelet, […]


Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka kryer inspektim të paparalajmëruar në katër zinxhirë tregtarë dhe në njërën nga odat tregtare. Inspektimi është kryer për shkak të dyshimit se disa zinxhirë marketesh që kryejnë tregti me pakicë të produkteve ushqimore dhe joushqimore kanë shkelur nenin 7 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon kartelet, gjegjësisht ndalon marrëveshjet dhe sjelljen e koordinuar të dy ose më shumë ndërmarrjeve, me qëllim të prishjes së konkurrencës, transmeton Portalb.mk.
Gjatë kontrollit në ambientet zyrtare të personave juridikë është kryer kontroll në dokumentacionin zyrtar si dhe është bërë kontroll edhe në mjetet e komunikimit elektronik, ku janë konstatuar prova se kanë marrë vendim të kundërligjshëm të cilin e kanë shpallur publikisht nëpërmjet mjeteve të informimit publik. Subjektet e kontrolluara, në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, kanë marrë vendim të ndaluar, përkatësisht janë pajtuar se do të veprojnë në harmoni dhe nuk do të blejnë mallra nga furnitorët të cilët do të paraqesin çmimore të reja për produktet e tyre, për këtë arsye është iniciuar procedurë kundërvajtëse.
“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës kontrollon intensivisht disa subjekte juridike që kanë pjesën e tyre në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe do të marrë masat dhe sanksionet më rigoroze për çdo shkelje të konkurrencës në treg dhe nuk do të lejojë asnjë anashkalim të ligjeve në dëm të qytetarëve”, njoftojnë nga Komisioni.
Kujtojmë se për të përballuar shpenzimet bazë, një familje prej katër anëtarësh në shkurt të këtij viti i nevojiten 63.773 denarë. Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), vlera e shportës minimale sindikale për muajin aktual është 521 denarë më e lartë se në janar, kur ishte 63.252 denarë.
Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë. Qëllimi i këtij vendimi, siç deklaroi dy ditë më parë zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, është mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve, gjegjësisht zvogëlimi i kostos së jetesës në shportën e konsumatorit.
Pritjet e Qeverisë janë që çmimet e produkteve ushqimore bazë që përmban vendimi të ulen mesatarisht 10 përqind.