“Jetë të vjedhura”, hulumtim i ri i IRL-së: Një grup i organizuar mori kredi të shpejta në emër të qytetarëve të pafajshëm

Një grup i organizuar prodhoi letërnjoftime të falsifikuara me të cilat keqpërdoreshin të dhënat personale të qytetarëve të Maqedonisë, dhe më pas ato përdoreshin për të marrë të ashtuquajturat “kredi të shpejta”. Këtë e zbulon dokumentari i ri investigues “Jetë të vjedhura” nga Investigative Reporting Laboratory (IRL), transmeton Portalb.mk. Në dokumentarin e publikuar mbrëmë, zbulohet […]

dhjetor 23, 2024 - 20:00
 0  3
“Jetë të vjedhura”, hulumtim i ri i IRL-së: Një grup i organizuar mori kredi të shpejta në emër të qytetarëve të pafajshëm
Kartelë, digjitalizim, elektronike

Një grup i organizuar prodhoi letërnjoftime të falsifikuara me të cilat keqpërdoreshin të dhënat personale të qytetarëve të Maqedonisë, dhe më pas ato përdoreshin për të marrë të ashtuquajturat “kredi të shpejta”. Këtë e zbulon dokumentari i ri investigues “Jetë të vjedhura” nga Investigative Reporting Laboratory (IRL), transmeton Portalb.mk.

Në dokumentarin e publikuar mbrëmë, zbulohet se grupi me letërnjoftime të falsifikuara ka hapur edhe llogari bankare në emër të qytetarëve – viktimave. Me identitete të vjedhura dhe letërnjoftime të falsifikuara të prodhuara në Kosovë, në të cilat ishin ngjitur fotografi të personave nga Bullgaria dhe Serbia, grupi i organizuar grumbulloi para nga kompanitë financiare në vend që ofrojnë kredi të shpejta. Në të njëjtën kohë, u vodhën identitetet e qytetarëve të pafajshëm, përfshirë personat me probleme mendore dhe qytetarët të cilët ishin dëbuar shumë kohë më parë.

Një nga viktimat është një grua 44-vjeçare nga Shkupi, e cila tregon në dokumentar se në emër të saj janë marrë deri në shtatë kredi të shpejta. Viktima ka angazhuar një avokat përmes të cilit ka tentuar të parandalojë pagesën e detyruar, duke sqaruar se është mashtruar dhe se rasti është duke u hetuar nga prokuroria.

“Gjashtë nga kompanitë financiare kanë vendosur të ndalojnë mbledhjen e borxhit, ndërkohë që hetimi vazhdon. Vetëm kompania “SN Finance” vendosi të arkëtojë plotësisht borxhin, edhe pse Maria nuk u ka marrë para, por dikush tjetër e ka bërë me letërnjoftim fals. Kur filloi zbatimi në dhjetor 2023, llogaria bankare e Marias u bllokua. Që atëherë ajo ka filluar t’i kthejë paratë me këste për një kredi të marrë nga “SN Finance” në shumë prej rreth 30.000 denarë. Kompania llogariti se duhet t’i paguajë tre herë më shumë”, thuhet në storjen e IRL-së.

Duke hetuar rastin e 44-vjeçares nga Shkupi dhe identitetin e saj të vjedhur, IRL zbuloi se pas mashtrimeve qëndronin njerëz të mirëorganizuar. Ata konstatuan se, përveç letërnjoftimeve të falsifikuara, qytetarët janë bërë shënjestër e mashtrimit dhe përmes punësimeve fiktive në kompani që janë hapur nga mashtruesit për t’u punësuar persona, gjë që është një rrethanë lehtësuese për të marrë kredi të shpejtë.

Personi Dimitar Kratovski, i cili në dokumentar fillimisht luan rolin e burimit sekret me identitet të mbrojtur, por më pas bëhet i dyshuar nga prokuroria, dëshmon për IRL se të dhënat për personat e mashtruar janë marrë kryesisht nga institucionet shtetërore. Sipas Kratovskit, mashtruesit kanë pasur njerëzit e tyre në shumë institucione, por edhe në banka.

Dokumentari tregon se institucionet kanë dështuar plotësisht në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Informacioni rreth numrave të sigurimeve shoqërore, adresave dhe historisë së kreditit dhe shëndetit u zbulua nga një duzinë institucionesh shtetërore.

“Jetë të vjedhura” thuhet se skemat mashtruese dhe praktikat grabitqare të dyqaneve të parave janë rezultat i mbikëqyrjes pothuajse inekzistente të industrisë së kredisë me pagesë – vetëm gjashtë zyrtarë të Thesarit kontrollojnë 27 kompani financash me 220 filiale.

“Të dhënat për borxhet në këto kompani, ku çdo i dyti nuk mund të shlyejë në kohë kredinë, si dhe numri i lartë i mashtrimeve që kompanitë raportojnë rrallë në polici, tregojnë se shteti shpërfill rreziqet kriminale dhe ekonomike nga trazirat sociale. Burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe financiare të policisë dhe prokurorisë, çorganizimi i institucioneve dhe ekzistenca e informatorëve të grupeve kriminale në vetë institucionet tregojnë mungesën e vullnetit politik për të mbrojtur qytetarët nga mashtrimi, krimi dhe falimentimi”, thuhet në storjen e Laboratorit të Gazetarëve Investigativ.