Agron Shehaj krijon partinë “Mundësia”: Të ndahemi nga trashëgimia 30-vjeçare e politikës

I larguar që prej vitit të kaluar nga Partia Demokratike, deputeti Agron Shehaj shpalli këtë të shtunë krijimin e forcës më të re politike në vend, duke e pagëzuar atë me emrin “Mundësia”. Gjatë fjalës së tij në konventën themeluese, Shehaj u shpreh se formacioni më i ri politik i djathtë që ai përfaqëson synon […]

qershor 1, 2024 - 22:00
 0  12
Agron Shehaj krijon partinë “Mundësia”: Të ndahemi nga trashëgimia 30-vjeçare e politikës

I larguar që prej vitit të kaluar nga Partia Demokratike, deputeti Agron Shehaj shpalli këtë të shtunë krijimin e forcës më të re politike në vend, duke e pagëzuar atë me emrin “Mundësia”.

Gjatë fjalës së tij në konventën themeluese, Shehaj u shpreh se formacioni më i ri politik i djathtë që ai përfaqëson synon t’u japë një mundësi të re shqiptarëve, duke u ndarë nga trashëgimia e tre dekadave të fundit.

Shehaj dënoi korrupsionin 30-vjeçar, keqqeverisjen dhe lidhjet e krimit me politikën, dhe premtoi se forca që përfaqëson do të jetë ndryshe dhe do të sjelli mundësi të reja ekonomike për shqiptarët.

“Një parti të re politike që na ka munguar këto 30 vjet, një parti që ka qëllim t’i japi mundësi të gjithëve, jo vetëm një pakice. Na pret një punë e madhe. Kjo që po bëjmë, mund ta bëjmë vetëm ne. Në qoftë se duam që Shqipëria të bëhet një vend i jetueshëm për të gjithë. Shqipëria do të ketë një ditë një qeveri të pa korruptuar, atë qeveri do ta ndërtojmë ne. Askush nuk mund të vendosë nëse ne do ja dalim apo jo, të na pengojë për t’i dhënë fëmijëve tanë një jetë më të mirë”, u shpreh Shehaj.

Kjo lëvizje e Agron Shehajt vjen në një kohë kur demokratët janë ndarë në tre grupe, një pjesë e të cilëve udhëhiqen nga ish-Kryeministri Berisha dhe një pjesë tjetër mbështesin Lulzim Bashën.