ANALIZË: Me mbi 77 milionë euro shëndetësia është një nga sektorët më me borxhe në RMV, kjo është lista e plotë e borxhlinjve

Pas kompanive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në nivel lokal dhe qendror – shëndetësia është një nga sektorët me borxhe më të mëdha në vend, me një borxh mbi 77 milionë euro. Mbi 300 milionë euro kanë borxh vetëm pesë kompani shtetërore edhe atë nga dy sektorë – energjia dhe hekurudhat. Nga NP-të e themeluara në […]

dhjetor 16, 2024 - 07:00
 0  5
ANALIZË: Me mbi 77 milionë euro shëndetësia është një nga sektorët më me borxhe në RMV, kjo është lista e plotë e borxhlinjve
Qendra Klinike Universitare "Nënë Tereza" në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas kompanive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në nivel lokal dhe qendror – shëndetësia është një nga sektorët me borxhe më të mëdha në vend, me një borxh mbi 77 milionë euro. Mbi 300 milionë euro kanë borxh vetëm pesë kompani shtetërore edhe atë nga dy sektorë – energjia dhe hekurudhat. Nga NP-të e themeluara në nivel lokal, borxh më të madh të prapambetur dhe të papaguar në vlerë prej 17 milionë euro ka NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Borxhet e institucioneve shëndetësore…

Me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 77,5 milionë euro, shëndetësia është një nga sektorët me borxhe më të mëdha. Në vendin e 6-të të lartë në listën e re të Ministrisë së Financave, me një borxh prej 27,3 milionë eurosh, është Shërbimi i Përbashkët për nevojat e shëndetësisë, i cili prej vitesh ka grumbulluar shuma milionëshe detyrimesh të prapambetura, por të papaguara. Nëpërmjet këtij institucioni bëhen furnizimet për institucionet shëndetësore publike, qendrën e urgjencës, klinikat.

Klinika për Radioterapi dhe Onkologji është në dhjetëshen e parë të borxhlinjve me një borxh prej 12,3 milionë euro. Klinika për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare ka raportuar një borxh të prapambetur prej 4,6 milionë euro, ndërsa Klinika për Traumatologji, 4 milionë euro. Borxhet e Institutit të Transfuziologjisë në fund të tremujorit të tretë ishin gati 3,7 milionë euro, ndërsa të Klinikës së Gjinekologjisë, gati 3,6 milionë euro. Borxh më të madh se 3 milionë euro kanë raportuar edhe Klinika “Shën Naumi i Ohrit – Shkup” dhe Klinika e Hematologjisë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me borxhe më të mëdha – ndërmarrjet shtetërore energjetike dhe të hekurudhave…

Pesë vendet e para në listën e re të borxhlinjve janë të “rezervuara” për ndërmarrjet shtetërore energjetike dhe të hekurudhave.

Borxhin më të madh në vlerë prej 88,3 milionë euro e ka ndërmarrja shtetërore Sh.A. “Nomagas”, e pas saj, me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 71,9 milionë euro është ESM – Prodhimi, e ndjekur nga dy kompanitë hekurudhore, HM – Transporti me një borxh prej 69,7 milionë euro dhe HM Infrastruktura me një borxh prej 49,7 milionë euro, kurse në vendin e pestë është ESM – shpërndarja e energjisë për ngrohje me një borxh prej gati 34,7 milionë euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga NP-të e themeluara në nivel lokal, borxh më të madh të prapambetur dhe të papaguar, në vlerë prej 17 milionë euro ka NP “Ujësjellësi Kanalizimi” – Shkup, e cila është në kompetencë të Qytetit të Shkupit. Nga NP-të komunale lokale, në vendin e 12-të me borxh prej 9,2 milionë euro është NP “Ujësjellësi” Kumanovë, në vendin e 18-të me një borxh prej 5,9 milionë euro është NP “Ujësjellësi” Ohër, vijon NPK “Ujësjellësi” Tetovë me detyrime të prapambetura, por të papaguara prej 5,7 milionë euro, kurse 5,1 milionë euro borxh ka NPK Tetova.

Nga kompanitë shtetërore dhe ndërmarrjet publike të krijuara nga pushteti qendror, e të cilat kanë një numër të madh punonjësish, përveç atyre në “pesëshen e parë”, me borxhe milionëshe janë NP për Rrugët Shtetërore me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 16,1 milionë euro, ESM – prodhimi i nxehtësisë me një borxh prej 8,3 milionë euro, Sh.A.

“Ekonomizimi i Ujërave” me detyrime prej 7,2 milionë euro dhe NP RTM me borxhe të prapambetura në vlerë prej 6,9 milionë euro.

Nga komunat, në 20 vendet e para me borxhe më të mëdha janë Komuna e Tetovës, e renditur në vendin e dhjetë, dhe Komuna e Gostivarit në vendin e njëmbëdhjetë – me detyrime të raportuara të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 10,6 milionë euro. Qyteti i Shkupit është në vendin e 15-të me borxh të prapambetur prej 7 milionë euro.

Borxhi i brendshëm total në fund të tremujorit të tretë ishte 660,1 milionë euro.