ASh: Prishet muri i Spitalit të Tetovës për interesa biznesore-klanore
Aleanca për Shqiptarët në një reagim të lëshuar sot për media, akuzoi partitë shqiptare që janë pjesë të Qeverisë se kanë prishur murin rrethues të Spitalit të Tetovës pa asnjë lloj leje dhe pa procedura ligjore, transmeton Portalb.mk. Nga kjo parti pretendojnë se, murin është prishur për interesa të ngushta biznesore-klanore të partive shqiptare. “Muri […]
Aleanca për Shqiptarët në një reagim të lëshuar sot për media, akuzoi partitë shqiptare që janë pjesë të Qeverisë se kanë prishur murin rrethues të Spitalit të Tetovës pa asnjë lloj leje dhe pa procedura ligjore, transmeton Portalb.mk.
Nga kjo parti pretendojnë se, murin është prishur për interesa të ngushta biznesore-klanore të partive shqiptare.
“Muri rrethues i Spitalit Klinikë të Tetovës u ndërtua nga Dr. Ilir Demiri, derisa ishte drejtor, me procedurë tenderimi dhe leje, për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të mbrojtur të pacientëve dhe stafit shëndetësor. Një pjesë e këtij muri sot u rënua pa asnjë lloj leje, pa procedurë dhe në kundërshtim me vendimet legale paraprake. Muri është rënuar në hyrjen e një kafeneje, pronari i së cilës është i afërt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari dhe njerëzit e tij”, thuhet në reagim.
Në reagim më tej thuhet se, këto veprime joligjore po ndërmerren për interesa të ngushta të klaneve dhe bizneseve të njerëzve të afërt të Taravarit dhe partive të koalicionit të tyre dhe kanë për pasojë rrënimin e të ariturave nga udhëheqësia paraprake.
“Ftojmë institucionet kompetente që të veprojnë urgjentisht për të parandaluar rënimin dhe shkatërimin e Spitalit Klinik të Tetovës për interesa vetanake të individëve dhe partive. Ju bëjmë thirje udhëheqësisë së Spitalit Klinik të Tetovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të heqin dorë nga veprimet që dëmtojnë këtë institucion të rëndësishëm për tetovarët, që periudhën e fundit u rimëkëmbë falë përkushtimit të udhëheqësve të deritanishëm, ish drejtorit dhe ish ministrit Ilir Demiri dhe humanistit Lazim Destani, për të qenë në shërbim vetëm të qytetarëve”, kanë shtuar nga partia
Kujtojmë se, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 15 gusht, tha se ka indicie se ka pasur keqpërdorime prej ish-drejtorit të Spitalit të Tetovës, por nuk ka përmendur emra se për cilin drejtor bëhet fjalë. Nga ana tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-drejtori i Spitalit Klinik të Tetovë, Ilir Demiri, ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se, nuk është mirë dikush të akuzohet pa fakte dhe pa bazë.