RMV, çdo dokument elektronik që lëshohet nga një organ shtetëror mund të përdoret në formë të shtypur si dokument origjinal
Me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet konfidenciale, së fundmi është bërë e mundur që çdo dokument elektronik i lëshuar nga një organ shtetëror të mund të përdoret në formën e tij të shtypur, njësoj si dokumenti origjinal dhe që qytetarëve të mos u kërkohet në formë […]
![RMV, çdo dokument elektronik që lëshohet nga një organ shtetëror mund të përdoret në formë të shtypur si dokument origjinal](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/06/Foto-2023-06-19T163646.091.png?fit=960%2C540&quality=80&ssl=1)
![Shërbime digjitale në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/06/Foto-2023-06-19T163646.091.png)
Me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet konfidenciale, së fundmi është bërë e mundur që çdo dokument elektronik i lëshuar nga një organ shtetëror të mund të përdoret në formën e tij të shtypur, njësoj si dokumenti origjinal dhe që qytetarëve të mos u kërkohet në formë letre, siç ishte praktikë në të kaluarën, me të cilën paguanin dy herë. Megjithatë, në praktikë qytetarët ende përballen me mospranimin e dokumenteve elektronike nga disa institucione, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Transformimit Digjital (MTD) thotë për MIA-në se është përgatitur një Udhëzues me qëllim të zbatimit korrekt të ligjit dhe nëse qytetarët hasin në mospranimin e dokumentit të tyre elektronik të shtypur nga një institucion, duhet t’i referohen ligjit i cili i detyron institucionet që ta pranojnë dokumentin sepse është njësoj i vlefshëm si origjinali.
“Ende nuk kemi bërë analiza të detajuara, sepse ndryshimet në ligj kanë ndodhur muajin e kaluar, por përdorimi i shërbimeve të portalit kombëtar të shërbimit uslugi.gov.mk është në rritje të vazhdueshme, duke gjykuar nga reagimet pozitive nga qytetarët dhe bizneset, mund të themi se janë të kënaqur me këtë mundësi. Sa i përket institucioneve, së fundi ministri Andonovski deklaroi se presim ndoshta rezistencë apo injorancë nga ana e institucioneve dhe për këtë kemi përgatitur një udhëzues ku citohet neni i ligjit i cili i jep bazë ligjore që një dokument elektronik i shtypur të njihet si i vlefshëm. Nëse qytetarët hasin në mospranim të dokumentit të tyre nga një institucion, i bëjmë thirrje që t’i referohen ligjit që i detyron institucionet të pranojnë dokumentin sepse është njësoj i vlefshëm si origjinali”, thonë nga MTD.
Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka nevojë të madhe për edukim digjital, por shtetit i mungon qasja strategjike për këtë çështje, veçanërisht për qytetarët që nuk janë pjesë e arsimit formal. Për planin vjetor të Qeverisë për vitin 2025, Fondacioni “Metamorfozis” ka propozuar nismën: Krijimi i një Strategjie Nacionale për Edukim Digjital. Ofrimi më i madh i mundësive për ndërtimin e shkrim-leximit digjital dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve të vendit ndaj kërcënimeve kibernetike vjen nga shoqëria civile, në mesin e tyre edhe Fondacioni “Metamorfozis” me aktivitetet e tyre.