Është rritur numri i fëmijëve të prekur nga diabeti në RMV

Mjekët ngrenë alarmin për rritjen e numrit të fëmijëve me diabet të tipit dy. Sipas tyre, kjo është shqetësuese dhe bëjnë thirrje tek mjekët amë dhe pediatrit që në kohë të bëjnë diagnostikimin, në mënyrë që të parandalohen komplikimet, transmeton Alsat-M. “Ne kemi pasur rritje të diabetit të tipit 1 në kohën e pandemisë, kemi […]

Nëntor 17, 2024 - 00:00
 0  3
Është rritur numri i fëmijëve të prekur nga diabeti në RMV
Diabet. Foto: Kwangmoozaa në Canva

Mjekët ngrenë alarmin për rritjen e numrit të fëmijëve me diabet të tipit dy. Sipas tyre, kjo është shqetësuese dhe bëjnë thirrje tek mjekët amë dhe pediatrit që në kohë të bëjnë diagnostikimin, në mënyrë që të parandalohen komplikimet, transmeton Alsat-M.

“Ne kemi pasur rritje të diabetit të tipit 1 në kohën e pandemisë, kemi pasur tri herë më shumë pacientë në vit, në dallim nga e kaluara. Tani është duke u stabilizuar trendi, nuk ka aq shumë pacientë, por pas kovidit paraqiten pacientë me diabet të tipit 2, që është një situatë e rrallë dhe nuk e kemi pasur më herët tek fëmijët. Veçanërisht kjo ndodhë tek adoleshentët në peshë, dhe kjo me të vërtet na habitë, por ky është trendi”, tha mjeke nga departamenti i endokrinologjisë dhe gjenetikës pediatrike.

Edhe tek të moshuarit është rritur numri i të prekurve me diabet. Në vend ka 130 mijë pacientë me diabet. Në ditën ndërkombëtare të diabetit u vu në dukje edhe mungesa e qendrave për diabet në vendet periferike. Nga shoqata “Diabetes” kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për problemet që ballafaqohen pacientët me diabet.

“Kërkojmë qasje në terapinë inovative, të vazhdohet me terapinë e insulinës , të ndryshohet modeli i qasjes në aparatet e matjes së glukozës dhe shiritave. Prioriteti ynë i ardhshëm është edukimi dhe motivimi tek njerëzit dhe e fundit që është me rëndësi të madhe, sa më shpejtë të ketë qasje të mjaftueshme të terapisë moderne për parandalimin e komplikimeve dhe për menaxhimin kualitativ të komplikimeve veçanërisht të komplikimeve kardiovaskulare”, tha Dime Velev.

Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski theksoi se diabeti është arsyeja e pestë e mortalitetit dhe për këtë arsye janë në proces e sipër për zgjerimin e listës pozitive.

“Plani ynë për vitin e ardhshëm është që sa më shpejtë ti përmbyllim bisedimet me sindikatat, ti përmbyllim bisedimet me mjekët amë dhe kjo të na mundësojë që të shohim se çfarë mjete do kemi në dispozicion për barna dhe për listën pozitive ”, u shpreh Klekovski.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se së bashku me shoqatat dhe klinikat përkatëse janë në komunikim për zgjerimin e programeve preventive të diabetit.