Fitoi zgjedhjet për bashkinë, Vangjel Tavo: Jeni shtysë për të shërbyer më shumë

Një ditë pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, duke mposhtur me 1477 vota diferencë Petro Gjikurinë e opozitës, Vangjel Tavo ka shprehur falënderimet e tij përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook. Tavo shprehet se i konsideron miq të gjithë ata që punuan me të gjatë fushatës elektorale, dhe më të […]

gusht 7, 2024 - 05:30
 0  10
Fitoi zgjedhjet për bashkinë, Vangjel Tavo: Jeni shtysë për të shërbyer më shumë

Një ditë pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, duke mposhtur me 1477 vota diferencë Petro Gjikurinë e opozitës, Vangjel Tavo ka shprehur falënderimet e tij përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook.

Tavo shprehet se i konsideron miq të gjithë ata që punuan me të gjatë fushatës elektorale, dhe më të veçantë, ata që i besuan me votë drejtimin e qytetit bregdetar për tre vitet e ardhshme.

Më tej ai nënvizon se respektin dhe besimin do të punojë për ta përkthyer në punë për Himarën dhe zhvillimin e saj.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar miq, dashamirës e mbështetës kudo që jeni,

Kam marrë prej jush me mijëra e mijëra mesazhe urimi përmes telefonit celular dhe rrjeteve sociale, e ju jam tejet mirënjohës për çdo urim, fjalë e inkurajim, e mbi të gjitha për sinqeritetin dhe dashamirësinë e thellë njerëzore që keni përçuar përmes tyre, që më kanë ngazëllyer e gëzuar pa masë e më kanë bërë të ndihem një njeri i privilegjuar me kaq shumë e shumë miq në katër anët e vendit, në shtetet fqinje, si edhe në kontinentet e largëta.

Sepse, a nuk është kjo pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu?! A nuk është pikërisht kjo trashëgimia më e vyer që mund të lihet në këtë jetë?! Dhe, a ka bekim më të madh se sa të kesh kaq shumë bashkudhëtarë të përzemërt në rrugëtimin njerëzor?!

Në pamundësi fizike për t’ju falënderuar individualisht po jua shpreh mirënjohjen time publikisht: Faleminderit të gjithëve nga zemra!

Faleminderit gjithsecili prej jush. E ju uroj shëndet e mbarësi në jetën dhe familjet tuaja. Dhe kurrë mos e harroni se dashamirësia dhe respekti juaj ndaj meje janë reciproke.

Ju e vlerësoni dhe e konsideroni Vangjel Tavon mik, ndërsa unë ju siguroj se e konsideroj gjithsecilin prej jush mik të vërtetë dhe shtysë e forcë për të shërbyer më shumë, për të drejtuar më mirë, e për t’i shpenzuar të gjitha energjitë e mia në përmirësimin e jetës së banorëve të thjeshtë dhe zhvillimin dhe transformimin e komunitetit.

Përgjithmonë mirënjohës!