Greqi/ Balla takon kryetarin e Bashkisë së Verias: Faleminderit për mikpritjen që i keni dhënë bashkatdhetarëve të mi
Me afrimin e zgjedhjeve, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka intensifikuar takimet me qytetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të kenë të drejtë vote. Balla, i cili ka shkuar në shtetin fqinj disa ditë para se Rama të mbajë takimin […]
Me afrimin e zgjedhjeve, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka intensifikuar takimet me qytetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të kenë të drejtë vote.
Balla, i cili ka shkuar në shtetin fqinj disa ditë para se Rama të mbajë takimin me shqiptarët në Selanik, ka takuar Kryetarin e Bashkisë së Verias, Vorgiazidis Konstantinos, një prej qyteteve ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë që prej fillimit të viteve ’90.
Gjatë takimit, Balla vlerësoi mikpritjen që Bashkia dhe qytetarët grekë i kanë treguar komunitetit shqiptar, i cili është bërë tashmë pjesë e integruar e shoqërisë në Veria.
“Gjej rastin t’ju falënderoj për mikpritjen që i keni dhënë bashkatdhetarëve të mi. Tashmë, shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Verias dhe të gjithë Greqisë, një urë lidhëse midis dy popujve tanë,” tha Balla në deklaratën e tij.
Takimi u zhvillua me synimin për të thelluar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe të mbështesë integrimin e komunitetit shqiptar që jeton e punon atje, duke promovuar vlera të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.