Hapësirë 450 hektarëshe, rreth 8 milionë euro kontratë që do të realizohet brenda 22 muajsh – detaje për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
26 vjet pas sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz është prezantuar propozimi fitues për zhvillimin e master planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kurti tha se projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450-hektarëshe, derisa vlera e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro. Nga ZKM […]
26 vjet pas sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz është prezantuar propozimi fitues për zhvillimin e master planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kurti tha se projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450-hektarëshe, derisa vlera e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro. Nga ZKM kanë thënë se hartimi i këtij projekti është paraparë që të realizohet brenda 22 muajve.
Gazeta Express
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 forcat serbe sulmuan familjen Jashari në Prekaz. Aty u vranë 55 njerëz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Pas rënies së tyre heroike, Prekazi u bë një nga vendet më të vizituara në Kosovë, mirëpo shtëpitë aty kanë mbetur në gjendjen e njëjtë që nga viti 2000 kur ishte bërë konservimi emergjent i tyre
Dje, më në fund, është prezantuar propozimi fitues për zhvillimin e master planit kompleksit “Adem Jashari”.
ZKM ka bërë të ditur se “puna në hartimin e këtyre planeve e projekteve, është parashikuar të realizohet brenda 22 muajve. “
“Paralelisht me hartim të planeve, do të nisë edhe zbatimi i projekteve të përfunduara”, thuhet në njoftim.
Në prezantimin e propozimit fitues morën pjesë pjesëtarë të familjes Jashari, kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, deputetë e përfaqësues të Universitetit të Prishtinës. I pranishëm ishte edhe kryeministri Kurti, i cili tha se kompleksi “Adem Jashari” është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari”, tha ai, që më vonë publikoi videon e masterplanit në Facebook.
Ndërsa nga familja Jashari foli Bekim Jashari, i cili tha se hartimi i këtij projekti është një hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin edhe më të madh të kullave, që dikur ishin të babës Shaban, por siç tha ai sot janë të gjithë shqiptarëve.
ZKM ka njoftuar se konsorciumi fitues përbëhet nga ndërmarrje ndërkombëtare Gerber Architekten Internacional nga Gjermania, Donald Insall Associates nga Mbretëria e Bashkuar, dhe Barker Langham nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë një përvojë të gjatë në zhvillimin e projekteve anembanë botës: në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, ndër të tjera.
“Kontrata e nënshkruar parasheh hartimin e projekteve e planeve, ideore e zbatuese, gjithsej 21 produkte, ku përfshihen Master Plani për tërë Kompleksin Memorial; Projektet e Konservimit dhe Interpretimit të Kullave të Rezistencës, dhe monumenteve tjera në kuadër të kompleksit; Programin kuratorial; Planet e hollësishme rregulluese; Projektet për Fabrikën e Municionit dhe Gardën Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.”
Pamje të master planit: