Kryeministri Edi Rama: Luftë kundër informalitetit të pagave, bonus i rritur për pensionistët që këtë vit
Kreu i qeverisë Edi Rama ka paralajmëruar një luftë frontale ndaj bizneseve që funksionojnë në informalitet pagash. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, Kryeministri bëri të qartë se taksa 0 për biznesin e vogël nuk do të ndryshojë deri në vitin 2029. Por sipas tij, ka biznese që deklarojnë përmes mashtrimit xhiro deri […]
Kreu i qeverisë Edi Rama ka paralajmëruar një luftë frontale ndaj bizneseve që funksionojnë në informalitet pagash.
Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, Kryeministri bëri të qartë se taksa 0 për biznesin e vogël nuk do të ndryshojë deri në vitin 2029. Por sipas tij, ka biznese që deklarojnë përmes mashtrimit xhiro deri në 140 mijë Euro, e në këto raste do të ketë kontrolle të rrepta.
Rama premtoi gjithashtu se për pensionistët do të ketë rritje bonusi që këtë vit.
“Ka ardhur koha që lufta ndaj tij të ngrihet në një nivel të ri, në emër të pensionistëve, për pensionistët. Këtu nuk flitet për të rritur taksa, sepse do ta mbajmë 0 taksën e biznesit të vogël deri në vitin 2029, por nga ana tjetër do shtrëngojmë ndjeshëm rrethin e bizneseve që bëjnë më shumë se sa 140 mijë Euro xhiro në vit dhe kamuflohen si biznes i vogël duke fshehur të ardhurat reale.
Ndërkohë, biznesi i madh do ta ketë shumë të qartë se nëse nuk do rritje të tatimit mbi fitim të nominuar për pensionistët duhet të paguajë kokërr më kokërr çdo qindarkë që u takon pensionistëve dhe të sëmurëve. Ndërsa pensionistët do ta shohin se nga njëra anë lufta kundër informalitetit të pagave për punonjësit e sektorit privat do jetë e gjithanshme dhe nga ana tjetër do fillojmë të rrisim bonusin për ta qysh këtë fundvit”.