Kryeministri serb Vuçeviq në vizitë në Shkup, RMV dhe Serbia nënshkruan memorandum bashkëpunimi në fushën e energjetikës
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski me nderime të larta shtetërore priti në Shkup kryetarin e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq së bashku me një delegacion serb. Në kuadër të vizitës u mbajt edhe takim tet-a-tet në mes Mickoskit dhe Vuçeviqit, raporton Portalb.mk. Maqedonia dhe Serbia nënshkruan memorandum […]
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski me nderime të larta shtetërore priti në Shkup kryetarin e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq së bashku me një delegacion serb. Në kuadër të vizitës u mbajt edhe takim tet-a-tet në mes Mickoskit dhe Vuçeviqit, raporton Portalb.mk. Maqedonia dhe Serbia nënshkruan memorandum bashkëpunimi në fushën e energjetikës.
Përfaqësuesit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë sot në Shkup nënshkruan memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës, minierave dhe resurseve minerale. Siç sqaroi kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij serb, Millosh Vuçeviq, pjesë e prioriteteve të dy qeverive në periudhën e ardhshme do të jetë ndërtimi i interkonjektorit të gazit nga Greqia përmes Maqedonisë në Serbi dhe Evropën Qendrore si dhe realizimi i Korridorit 10, pra hekurudha e shpejtë nga Shkupi për në Serbi dhe Greqi.
“E theksuam rëndësinë e ndërtimit të interkonjektorit të gazit që lidh ose do të lidhë dy vendet në të ardhmen. Pasi tani jemi në fazën e finalizimit të procedurës tenderiale që përfundimisht do të nisë ndërtimi i interkonjektorit me fqinjin tonë jugor, për të sigurur një mundësi shtesë për furnizimin me gaz në Evropën Qendrore”, theksoi Mickoski.
Dy kryeministrat diskutuan edhe për hekurudhën e shpejtë nga Korridori 10, e cila është një prioritet strategjik njëjtë si Korridori 8.
“Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për Korridorin 10 është i rëndësishëm për ne, si drejtim strategjik për transportin hekurudhor, i cili është një mundësi unike për t’u lidhur me partnerët evropianë nga Vjena në Athinë, do të lidhemi më lehtë me portet greke. Kjo është një rrugë ndërmjet Azisë dhe Evropës e cila do të kalojë përmes Maqedonisë dhe Serbisë, dhe e cila do të sigurojë transport më të mirë të mallrave dhe pasagjerëve – tha kryeministri serb Vuçeviq.
“Ndajmë shumë më tepër se kufiri i përbashkët. Shumë prej qytetarëve të të dyja vendeve ndajnë histori, kulturë, lidhje familjare dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, synimet e përbashkëta për prosperitet dhe paqe për popujt tanë. Biseduam për mënyrat se si ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik, si t’i lidhim njerëzit tanë dhe si të krijohen mundësi për brezat e ardhshëm që do të vijnë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e përbashkët me homologun e tij serb, Millosh Vuçeviq.
Mickoski tha se kanë biseduar për sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni, dhe theksoi se është e nevojshme “në këto kohë turbulente, të jemi bashkë, të jemi zëri i arsyes dhe të punojmë drejt stabilitetit dhe sigurisë së të gjithë rajonit”.
“E theksuam rëndësinë e dialogut si rrugë të vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve. Sa i përket aspiratave tona evropiane, e konfirmuam vizionin e përbashkët se e ardhmja e rajonit është Bashkimi Evropian. E dimë se rruga deri aty nuk është e lehtë, por besojmë se me përpjekjet e përbashkëta dhe mbështetje mund të përmbushim kriteret dhe të sjellim përfitimet e integrimit evropian për qytetarët në rajon”, tha Mickoski.
Kryeministri serb nga ana e tij, theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë marrëdhënie të mira tradicionale, dhe u pajtua me Mickoskin se kyç për Serbinë është ndërtimi i interkonjektorit dhe një rrugë e re për furnizimin me gaz natyror për Serbinë, përmes Maqedonisë së Veriut.
“E mbështesim fuqishëm rrugën e përbashkët. Serbia beson në një të ardhme të përbashkët evropiane për të gjithë rajonin. I japim mbështetje të plotë Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane. Konsiderojmë se BE-ja duhet kohëve të fundit t’i japë Maqedonisë së Veriut një mundësi për përparimin e saj drejt Unionit, këtë duam ta themi publikisht dhe besojmë në fatin apo historinë e përbashkët evropiane për të gjithë rajonin. Ky rajon meriton një shans dhe mbështetje nga i gjithë Bashkimi Evropian”, tha Vuçeviqi, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.
Në Shkup kishte regjim të posaçëm të komunikacionit.