Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i takimit të liderëve të rajonit, për Planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor

Ministria për Çështje Evropiane informon se në gjysmën e dytë të marsit të këtij viti, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i Takimit të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor (WB6), përkushtuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.  Vendimi është marrë si rezultat i rolit proaktiv të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë […]

Jan 28, 2025 - 15:00
 0  4
Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i takimit të liderëve të rajonit, për Planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor
Parlamenti Evropian, Strazburg. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria për Çështje Evropiane informon se në gjysmën e dytë të marsit të këtij viti, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i Takimit të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor (WB6), përkushtuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk. 

Vendimi është marrë si rezultat i rolit proaktiv të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në përgatitjen dhe zbatimin e Agjendës së Reformave lidhur me këtë plan strategjik.

Në mënyrë shtesë do të publikohet data e saktë e mbajtjes së Takimit, si dhe detajet lidhur me këtë ngjarje.

Ky vendim i BE-së është mirënjohje për angazhimet tona për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në familjen evropiane.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.