Mickoski: Nga simbol i ngecjes, autostrada Kërçovë–Ohër po bëhet simbol i suksesit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ceremoninë e inaugurimit të segmentit të autostradës Preseka–Pesoçan, pjesë e aksit Kërçovë–Ohër, deklaroi se ky projekt, dikur simbol i dështimeve dhe ngecjeve The post Mickoski: Nga simbol i ngecjes, autostrada Kërçovë–Ohër po bëhet simbol i suksesit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Korrik 13, 2025 - 22:30
 0  0
Mickoski: Nga simbol i ngecjes, autostrada Kërçovë–Ohër po bëhet simbol i suksesit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ceremoninë e inaugurimit të segmentit të autostradës Preseka–Pesoçan, pjesë e aksit Kërçovë–Ohër, deklaroi se ky projekt, dikur simbol i dështimeve dhe ngecjeve shumëvjeçare, tani po shndërrohet në një shembull të punës së përgjegjshme dhe transformimit të vërtetë.

“Ky nuk është vetëm lëshim në përdorim i një pjese të autostradës, por një moment rikthimi i besimit. Një dëshmi se kur marrim përgjegjësinë me ndërgjegje të pastër dhe me qëllim të sinqertë, atëherë ndryshimet ndodhin,” deklaroi Mickoski.

Kreu i ekzekutivit kujtoi se projekti ishte i bllokuar për shtatë vjet për shkak të problemeve pronësore, ndryshimeve të panevojshme në projekt dhe, siç tha, institucioneve jofunksionale.

“Shtatë vjet pritje, premtime pa vepra, harxhime të kota të kohës, parave dhe nervave të qytetarëve. Sot, vetëm një vit pasi e fituam besimin e popullit, dëshmojmë çfarë do të thotë punë e vërtetë – me vepra, jo me fjalë,” tha Mickoski.

Ai theksoi se çdo metër i autostradës është ndërtuar me përkushtim dhe vullnet për të ecur përpara. Autostrada pritet të përfundohet në tërësi vitin e ardhshëm, ndërsa projekti është pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, një nga prioritetet infrastrukturore të Qeverisë.


Projekte kapitale në gjithë vendin

Krahas këtij projekti, Mickoski përmendi edhe disa segmente të tjera të përfunduara gjatë vitit të parë të qeverisjes:

  • Rruga ekspres Gradsko – Drenovë, me vlerë prej 37.4 milionë eurosh;
  • Rruga ekspres Drenovë – Farish, që ndikon në sigurinë dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit;
  • Segmenti Stracin në rrugën ekspres Rankovcë – Kriva Pallankë, me gjatësi prej 26 km dhe vlerë 98 milionë euro;
  • Rikonstruksioni i plotë i rrugës Ohër – Shën Naum (25 km, rreth 12 milionë euro);
  • Aktivizimi i punimeve në segmentin Gostivar – Bukojçan, pjesë e Korridorit 8, që ishte krejtësisht i bllokuar më parë.

“Këto nuk janë vetëm shifra. Këto janë jetë njerëzish që do të udhëtojnë më shpejt, më sigurt dhe me cilësi më të mirë. Janë rajone që hapen për investime të reja, për zhvillim, për mundësi,” theksoi Mickoski.

“Qeveri që punon – jo që gjen justifikime”

Mickoski e vlerësoi qeverisjen aktuale si një kthesë drejt funksionalitetit dhe llogaridhënies, duke theksuar se ndryshe nga e kaluara, sot qytetarët po shohin rezultate konkrete.

“Sot e shohim dallimin mes një politike që ndërton dhe një politike që kërkon justifikime,” u shpreh ai.

Në fund të fjalimit, Mickoski e theksoi bashkëpunimin në kuadër të koalicionit qeveritar:

“Kjo është një qeveri që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE, në bashkëpunim me koalicionin VLEN dhe partinë politike ZNAM. Ne nuk premtojmë shumë, por atë që e premtojmë – e realizojmë.”

Ai e përmbylli fjalimin me një mesazh optimizmi:

“Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve – jo vetëm me beton dhe asfalt, por me punë, ndershmëri dhe respekt për çdo qytetar. Dhe po, më e mira po vjen!”

The post Mickoski: Nga simbol i ngecjes, autostrada Kërçovë–Ohër po bëhet simbol i suksesit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .