Ndryshimi i stemës, defokusimi i radhës i politikanëve për të ikur nga dështimi në eurointegrime dhe problemet reale

Rikthehet në Maqedoninë e Veriut tema preferuar e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, por pa Gruevskin. Kësaj radhe “shtafetën” e mban pasardhësi i tij në kreun e VMRO-DPMNE-së, tani kryekryeministër, Hristijan Mickoski. Fjala është për ndryshimin e Stemës së Maqedonisë së Veriut. Mickoski, së fundmi ka deklaruar se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë […]

shkurt 15, 2025 - 09:00
 0  9
Ndryshimi i stemës, defokusimi i radhës i politikanëve për të ikur nga dështimi në eurointegrime dhe problemet reale
Pazar, treg, analiza ekonomike, varferi, shitblerje, qytetare, shkup, bit pazar

Rikthehet në Maqedoninë e Veriut tema preferuar e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, por pa Gruevskin. Kësaj radhe “shtafetën” e mban pasardhësi i tij në kreun e VMRO-DPMNE-së, tani kryekryeministër, Hristijan Mickoski. Fjala është për ndryshimin e Stemës së Maqedonisë së Veriut. Mickoski, së fundmi ka deklaruar se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë, pas çka pasuan një sërë reagimesh, nga liderë partiak, nga pozita e opozita, por edhe njohës të çështjeve politike në vend, shkruan Portalb.mk. Sipas tyre, ky është defokusim i opinionit për të ikur nga prioritetet dhe fokusimin në tema që të përfitojnë në elektorat. 

Opinioni sheh me sy kritik ngritjen e kësaj teme, tash, kur në rend dite do të duhej të ishin çështje me peshë më të madhe, si zhvillimi ekonomik dhe ndryshimet kushtetuese si kusht i vetëm në rrugën drejt BE-së.

Mersel Bilalli, foto nga arkivi personal
Mersel Bilalli, foto nga arkivi personal

Profesori universitar Mersel Bilalli në deklaratën e tij për Portalb.mk thotë hapja e temës së ndërrimit të stemës shtetërore është njëfar arsyetimi i koalicionit, i cili realisht nuk ka fuqi t’i imponojë ndryshimet kushtetuese, të cilat në mënyrë bombastike dhe strikte i pat projektuar para votuesve dhe tani blihet koha me mekanizma tjerë të mbulohet.

“Për shembull, një kohë kur Stalini kishte urdhëruar t’i shtyjnë vagonetat dhe kur kishin mbërri në fund, kur ka mbaruar hekurudha, ai u thotë: dilni tash dhe dridhni vagonetat që të duket se po lëvizim. Edhe këta, sikur improvizojnë, që të duket sikur bëjnë diçka në atë drejtim. Nuk shohë disponim të madh për ndryshime kushtetuese nga ana e VMRO-DPMNE-së, edhe pse situata është jashtëzakonisht kritike në rajon, me tërheqjen e SHBA-së dhe me fillimin e bisedimeve që do bëjnë ndryshime territoriale. Po hapet një Kuti e Pandorës. Vendet më të rrezikuara momentalisht në Ballkan janë, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Kosova. Prandaj, blerja e kohës në këtë moment, improvizimi për çështje elektorale është e papërgjegjshme” tha Bilalli.

Për analistin politik, Faton Aliti, fakti se asnjëra parti nuk e sheh si mundësi futjen në paketë të ndryshimit të preambullës, e cila është kushti i fundit për të hapur kapitujt negociues me BE-në, gjithë kjo është një lojë me të cilën tërhiqet vëmendja nga nevoja dhe presioni ndërkombëtar në ritje për ndryshimet që duhet bërë në lidhje me futjen e bullgarëve në preambullë.

“Lojë e dakorduar minimalisht me VLEN, por me mundësi reale edhe me LSDM ku të dyja palëve iu jep mundësinë të paraqiten para qytetarëve si mbrojtës të interesave kombëtare përkatëse, ndërsa VMRO-së i jep alibi për të mos u futur fare në këtë proces. Por, mbetet përceptimi te publiku se po “luftohet” për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare. Kur e dimë se masa më e madhe e votuesve japin votën në bazë të perceptimit dhe duke e ditur se jemi 7 muaj para zgjedhjeve lokale, bëhet më e qartë se pse perceptimi i tillë është i rëndësishëm. Ekziston mundësia që LSDM mos të jetë e përfshirë në lojë me dakordësi direkte, por nga nevoja për tu shfaqur më shumë nacionaliste se në kohën e Kovaçevskit, sepse humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare ua faturojnë qëndrimeve të tyre më të buta në raport me ne shqiptarët dhe bullgarët”, tha për Portalb.mk Aliti.

Faton Aliti, foto nga arkivi personal
Faton Aliti, foto nga arkivi personal

Aliti shprehet i bindur se VMRO nuk do të bëjë asnjë hap në drejtim të avansimit të procesit eurointegrues sepse, siç thotë ai, akoma luan në notat e Beogradit zyrtarë.

“VLEN do të “radikalizohet” në lidhje me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe kështu derisa të kapitalizojnë votën në zgjedhjet lokale. Pastaj, ndryshimet për preambullën do të mbeten vetëm në fokusin  e diplomatëve të huaj te ne, i cili nuk dihet edhe sa do të zgjasë duke patur parasyshë turbulencat që po i shkakton administrata e re amerikane. Pas formimit të qeverisë në Kosovë do të qartësohet nëse administarta e SHBA-ve e ka akoma të gjallë idenë e korigjimit të kufijve (Mitrovica e veriut dhe Lugina e Preshevës). Nëse do ta ketë, dhe nëse kjo ndodh si rezultat i ndonjë marrëveshje mes dy shteteve (Kosovë- Serbi) atëherë reflektimi në rajon do të jetë i pashmangshëm dhe të gjitha këto tema për stemën, himnin, preambullën, Ligjin e gjuhëve do të bëhen të parëndësishme”, deklaroi Aliti.

Partitë maqedonase të ndara rreth ndryshimit të Stemës shtetërore

Në një kumtesë për mediat, Partia Liberal Demokratike (PLD) propozon vendosjen e rrëqebullit në stemë e re, si një specie e njohur, karakteristike për Maqedoninë e Veriut.  Kjo parti thotë se nëse vendoset rrëqebulli, tregojmë vizion nga e ardhmja në vend që të “kthehet pas dhe të shikojë të kaluarën”.

Në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore u deklarua edhe kryetari i LSDM-ës, Venko Filipçe.

Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike” tha ai.

VMRO – DPMNE siguron votuesit e saj, se përskaj ndryshimit të Stemës shtetërore nuk flitet për çështje tjera.

“BDI- matrica e etnizimit të të gjitha çështjeve të rëndësishme dhe politika e ping-pongut të LSDM-së duhet të ndalet. Asnjëherë nuk është diskutuar për ndryshimin e himnit dhe as do të ketë në të ardhmen. Qytetarët mund të jenë të sigurt”, thuhet në reagimin e VMRO – DPMNE-së.

Partitë shqiptare kërojnë paket ndryshimesh, jo vetëm ndryshimin e Stemës shtetërore

Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.

“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.

I pari i Lidhjes Demokratike, njëherazi zëvendës kryeministër dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti ka deklaruar se ende nuk ka marrëveshje rreth çështjes në fjalë, por diskutohet për të gjitha çështjet e hapura.

“Të gjithë e dimë se formulimi ‘gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve’ është nënçmuese dhe nënvlerësuese për komunitetin e dytë në vend, por këto janë biseda, nuk kemi marrëveshje”, tha zëvendëskryeministri. Sipas tij, askush nuk mund ta kundërshtojë faktin se si stema, ashtu edhe himni kombëtar kanë origjinën siç tha ai, nga koha e komunizmit dhe nuk pasqyrojnë realitetin ashtu siç duhet.

I gatshëm për të diskutuar gjithçka, është deklaruar edhe Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë, nga koalicioni VLEN.

“VLEN është gati të flasë për çdo gjë. Fatkeqësisht, në periudhën e fundit, tema më të ndjeshme janë zhytur nën qilim. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë masash të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe t’i zgjidhim si paketë, pse të mos përfshijmë stemën dhe himnin dhe 20 për qindëshin dhe çështje të tjera etnike nëse ka, dhe të fokusohemi te ekonomia, integrimi evropian, antikorrupsioni, paga më të mira, për një jetë më e mirë,…, theksoi Taravari.

Edhe nga BDI mbështesin propozimin që të përfshihet në pakon e ndryshimeve edhe himni.

“Ne jemi të gatshëm jo vetëm të bisedojmë, por edhe të gjejmë zgjidhje që do të pasqyrojnë realitetin e të gjitha bashkësive etnike. Është e vërtetë që simbolet kanë mbetur nga komunizmi, por shtoj se himni duhet të pasqyrojë edhe realitetin e të gjitha komuniteteve etnike”, tha deputeti Blerim Bexheti.

2014, u propozua stemë skandaloze pa elemente shqiptare

Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.

Propozimi për stemën në vitin 2014
Propozimi për stemën e Maqedonisë në vitin 2014

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.

Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.

Rikujtojmë dhe deklaratën e Lëvizjes Besa në vitin 2014, e cila tha se e gjykon si manipulim të rëndë me simbolet e shtetit vendosjen e një simboli partiak si simbol shtetëror dhe e konsideron këtë si veprim antishtetëror dhe, aq më shumë, antishqiptar, sepse ky simbol është kundër realitetit shoqëror shumetnik në Maqedoni, e veçmas kundër kombit të dytë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Prandaj, që të mos thellohet edhe më shumë ndarja e komuniteteve në Maqedoni, BESA kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta rimendojë këtë propozim, ndërsa subjekti shqiptar në këtë Qeveri të mos kërkojë shpjegime, gjoja shqiptare, për ta arsyetuar dështimin e tyre në këtë qeverisje dhe të dëshmojnë se nuk janë aty vetëm numra pa asnjë rëndësi përmbajtjesore.” thuhej mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.

Ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i  kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.