Mal me deponi mbi Sllupçan të Likovës, NPK “Pisha” do të tentojë me fushata t’i bind banorët mos hedhin mbeturina
Mbi fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, në rrugën që çon te vendkalimi kufitar Maqedoni-Kosovë banorë të pandërgjegjshëm kanë krijuar deponi të egër. Disa banorë të fshatit u ankuan në redakisnë e Portalb.mk duke e shprehur shqetësimin e tyre dhe duke kërkuar me urgjencë pastrimin e këtyre mbeturinave për shkak të pamjes dhe erës së […]


Mbi fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, në rrugën që çon te vendkalimi kufitar Maqedoni-Kosovë banorë të pandërgjegjshëm kanë krijuar deponi të egër. Disa banorë të fshatit u ankuan në redakisnë e Portalb.mk duke e shprehur shqetësimin e tyre dhe duke kërkuar me urgjencë pastrimin e këtyre mbeturinave për shkak të pamjes dhe erës së keqe, si dhe për arsye shëndetësore. Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” thotë se kohë pas kohe i pastrojnë mbeturinat por, se do të tentojnë me fushata t’i bindin banorët mos hedhin gjësende.
Deponia e egër e cila është krijuar mbi fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës është përreth rrugës e cila lidhet me vendkalimin kufitar Bellanocë – Stançiç.
Këto pamje shqetësojnë banorët e Sllupçanit të cilët për Portalb.mk u ankuan se autoritetet nuk marrin masa.
“Hedhja e mbeturinave për rreth rrugës nuk është aspak e hijshme”, tha një banore.
“Autoritetet komunale duhet të marrin masa dhe t’i largojnë këto mbeturina sa më shpejtë” tha një banor.
“Kjo rrugë është një vendkalim kufitar për gjithë qytetarët dhe jo vetëm për ne por edhe për shtetasit e Kosovës, mendoj se edhe banorët e fshatit duhet të kenë kujdes dhe mos të hedhin mbeturina”, tha një banor tjetër.
Në lidhje me këtë problem Portalb.mk kontaktoi Komunën e Likovës dhe Ndërmarrjen Publike Komunale “Pisha” Likovë.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” – Likovë theksojnë se për këtë problem i kanë informuar qytetarët, dhe se mbeturinat e hedhura i pastrojnë kohë pas kohe.
“Kohë pas kohe i pastrojmë, por fatkeqësisht nga persona të pa përgjegjshëm situata të tilla po na përsëriten. Kemi paraparë fushata për vetëdijsimin e popullatës, për ruajtejen e ambientit, për mos hudhjen e mbeturinave vend e pa vend”, thanë për Portalb.mk nga NPK “Pisha”.
Nga Komuna e Likovës, edhe pse na thanë se do i shqyrtojnë pyetjet tona gazetareske, deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2024 në Liqenin e Gllazhnjës në Likovë është krijuar një deponi e egër e cila është e stërmbushur me mbeturina të ndryshme, edhe pse në atë kohë nga Inspektorati Komunal thanë se do të pastrohet, por nuk ndërmorën masa.
Po ashtu kujtojmë se për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës në qershor është arsyetuar se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht.