Nikolloski: Treni i qytetit do të kalojë nëpër Kisella Vodë, tenderi për 120 autobusët e rinj elektrik në fazë përfundimtare
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zbuloi se përgatitja e tenderit për furnizimin e 120 autobusëve të rinj elektrikë ekologjikë, 80 prej të cilëve janë të destinuar për Shkupin – një iniciativë që rrjedh nga kërkesat e Qytetit dhe komunave, është në fazën përfundimtare, transmeton Portalb.mk. “Transporti publik do të jetë në një nivel […]


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zbuloi se përgatitja e tenderit për furnizimin e 120 autobusëve të rinj elektrikë ekologjikë, 80 prej të cilëve janë të destinuar për Shkupin – një iniciativë që rrjedh nga kërkesat e Qytetit dhe komunave, është në fazën përfundimtare, transmeton Portalb.mk.
“Transporti publik do të jetë në një nivel shumë më të mirë se sa është tani dhe pres që rezultatet të jenë të disponueshme deri në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi Nikolloski.
Ai pret gjithashtu që linja e parë e “Trenit të qytetit” Zelenikovë – Draçevë – Kisella Vodë – Aerodrom – Qendër (Stacioni i ri hekurudhor) të jetë në funksion deri në fund të vitit.
Ky është, siç tha ai mbrëmë, një investim i madh prej rreth pesëdhjetë milionë eurosh për të tre linjat e planifikuara të qytetit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut me 1 prill ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin e Ministrisë së Transportit në lidhje me letrat e interesit të dorëzuara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale për nevojën e blerjes së autobusëve ekologjikë për transport publik.
“Duke pasur parasysh mjetet financiare të siguruara në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Transportit për këtë qëllim, është paraparë blerja e 120 autobusëve ekologjikë, nga të cilët 80 janë urgjentisht të nevojshëm për qarkullimin e NQP Shkup-Shkup dhe përmirësimin e transportit publik, ndërsa 40 të tjerët do të shpërndahen sipas arsyeshmërisë ekonomike dhe nevojave reale të secilës njësi të vetëqeverisjes lokale”, informuan nga Qeveria.
Nga atje thanë se blerja e autobusëve ekologjikë për transport publik do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, si dhe në uljen e ndotjes së ajrit në komuna, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.