Qeveria e RMV-së jotransparente në punën e saj, në shqip s’bëhet fjalë po as në maqedonisht, arsyetimi: Jemi cak i hakerëve
Qeveria e Maqedonisë së Veriut kohëve të fundit nuk ofron transparencë për punën e saj. Procesverbali i fundit, që dokumenton aktivitetet dhe vendimet e seancave të Qeverisë, për herë të fundit është publikuar, më 16 nëntor, dhe që prej asaj date nuk ka asnjë informacion të ri. Mungesa e procesverbaleve ngre shqetësime për transparencë, aq […]
Qeveria e Maqedonisë së Veriut kohëve të fundit nuk ofron transparencë për punën e saj. Procesverbali i fundit, që dokumenton aktivitetet dhe vendimet e seancave të Qeverisë, për herë të fundit është publikuar, më 16 nëntor, dhe që prej asaj date nuk ka asnjë informacion të ri. Mungesa e procesverbaleve ngre shqetësime për transparencë, aq më tepër që nuk ka as datë të saktë se kur kjo praktikë do të ndërpritet. Për më tepër, asnjë procesverbal nuk është publikuar në gjuhën shqipe, duke e bërë të pamundur për shqiptarët të kenë qasje në informacionin për punën qeveritare. Qeveria nga ana tjetër për Portalb.mk arsyetohet se po përgatitet internet-portal i ri dhe sy ky aktuali është i pasigurt dhe cak i sulmeve të hakerëve.
Mungesë transparence
Duke qenë se kjo situatë nuk mund të kuptohet ndryshe përpos si mungesë transparence, Portalb.mk peti Qeverinë për situatën, nga ku thonë se janë në përgatitje e sipër të një portali të ri të Qeverisë dhe se janë cak i sulmeve të hakerëve.
“Në lidhje me pyetjet tuaja theksojmë se është në proces zhvillimi i internet-portalit të ri të Qeverisë dhe ministrive, diçka që është nisur që nga qeveria e kaluar, janë paguar mijëra euro, por nuk ka përfunduar. Kur portali të jetë gati, i njëjti do të përmbajë të gjitha informacionet për të cilat ju tregoni interes. Ndërkohë, ruhet portali i vjetër, i cili është i pasigurt dhe është cak i sulmeve të shpeshta të hakerëve”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së RMV-së.
Ata luten për mirëkuptim, duke shtuar se Qeveria është e përkushtuar ndaj hapjes dhe transparencës.
Gjithashtu thonë se shërbimi i seancave përgatit procesverbalin e çdo seance qeveritare, pas nënshkrimit të të gjitha konkluzioneve dhe akteve të seancës nga kryesuesi i të njëjtës. Pasi mbyllen të gjitha lëndët (pikat) e seancës, me nënshkrimin dhe zbatimin e tyre, përgatitet procesverbali.
“Procesverbali përgatitet në atë mënyrë që të kontrollohet se përputhet me evidencën elektronike të e-Qeverisë, të korrigjohet nomoteknikisht dhe redaktohet, pas së cilës propozohet për miratim në njërën nga seancat vijuese. Procesverbali jepet për miratim pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet për miratimin e tyre dhe më pas publikohet”, shtojnë nga Qeveria.
Ata premtojnë se të dhënat nga procesverbali i miratuar nga seancat e mbajtura të qeverisë do të jenë publike në ueb faqen e Qeverisë.
Kjo situatë e fshehtësisë dhe mungesës së informacionit nge shqetësime të shumta për demokracinë dhe transparencën, duke krijuar një hendek të madh midis Qeverisë dhe qytetarëve.
Në ueb-faqen e Qeverisë, shihet se procesverbali i fundit është i datës 16 nëntor, pra i muajit të kaluar:
Ndërkohë ka mungesë informacioni në disa seanca të mbajtura, ndërsa në disa të tjera ka informacione më të detajuara për punën e Qeverisë. Në seancën e 38 të datës 10 dhjetor ka informata për pikat e propozimeve të rendit të ditës, si në fotografinë më poshtë.
Nga ana tjetër, në seancat 37, 36, 35 dhe 34 nuk ka asnjë informatë për pikat e propozimeve të rendit të ditës, si në fotografitë e mëposhtme.
Gjuha shqipe në procesverbale e papërfillshme
Nga ana tjetër, gjuha shqipe është e papërfillshme në procesverbalet e Qeverisë. Deri tani, asnjë informacion nuk është publikuar në gjuhën shqipe për seancat e qeverisë, përkatësisht procesverbalet. Të njëjtat, janë të ngarkuara në versionin shqip të ueb-faqes, por në gjuhën maqedonase.
Po aq e papërfillshme nga ana e Qeverisë ishte pyetje e Portalb.mk, se pse procesverbalet nuk janë edhe në gjuhën shqipe, për të cilën nuk morëm asnjë përgjigje.
Në ueb-faqe, kur zgjidhni gjuhën shqipe, vetëm kategoritë si: Data, Numri i seancave, Proçesverbalet, Kumtesa, janë në shqip, pjesa tjetër e përmbajtjes është në gjuhën maqedonase.
Kjo qasje nga ana e Qeverisë e bën më të vështirë për shqiptarët që të kenë qasje në informacionin e nevojshëm. Kjo situatë krijon një hendek të madh në transparencë, duke e bërë të vështirë për qytetarët të jenë të informuar në mënyrë të barabartë për veprimtarinë e Qeverisë.
Kujtojmë se nga një analizë e Portalb.mk për përdorimin e shqipes për një javë në komunikatat me mediat dhe ueb-faqet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Presidencës dhe Kuvendit, rezultoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk është se ka ndryshuar shumë praktika e komunikatave të dërguara në gjuhën shqipe nga koha e Qeverisë teknike apo nga ajo e LSDM-së. Në të tre rastet, komunikatat në gjuhën shqipe dërgohen në mënyrë të parregullt. Gjegjësisht, çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët njëherësh dhe dallimi midis dy komunikatave arrin deri në mbi dy orë. Kjo do të thotë, se pasi gazetarët tashmë e kryejnë punën, e përkthejnë komunikatën dhe plasojnë lajmin, arrin komunikata në gjuhën shqipe.
Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.