Qeveria e RMV-së nuk e zgjidhi plotësisht problemin me dokumentet personale në 100 ditët e para

Më 1 tetor të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski dha raport për punën e 100 ditëve të para të Qeverisë së RMV-së, ndër të tjera, si një nga të arriturat e qeverisë, vuri në dukje dhënien e dokumenteve personale për qytetarët “që tashmë është i rregulluar dhe është në kuadër të afatit të përcaktuar ligjor”, […]

tetor 11, 2024 - 16:00
 0  6
Qeveria e RMV-së nuk e zgjidhi plotësisht problemin me dokumentet personale në 100 ditët e para
Pasaporte, letërnjoftim, patentë shoferi, Kërkesa për nxjerrjen e dokumenteve personale. Foto: Meta.mk

Më 1 tetor të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski dha raport për punën e 100 ditëve të para të Qeverisë së RMV-së, ndër të tjera, si një nga të arriturat e qeverisë, vuri në dukje dhënien e dokumenteve personale për qytetarët “që tashmë është i rregulluar dhe është në kuadër të afatit të përcaktuar ligjor”, transmeton Portalb.mk.

Kjo deklaratë e kryeministrit Mickoski mund të konsiderohet gjysmë e vërtetë, duke pasur parasysh se numri i kërkesave të pranuara për lëshimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave ka rënë dukshëm në 100 ditët e para pas formimit të kësaj qeverie, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë kanë nxjerrë dokumente personale me emrin e ri të vendit.

Nuk mund të thuhet se kjo është meritë e kësaj qeverie, përkundër faktit se shumë nga reformat për dhënien e dokumenteve personale janë bërë gjatë qeverisë teknike, ndërsa Pançe Toshkovski nga VMRO-DPMNE ishte ministër teknik i Punëve të Brendshme.

“Lëshimi i pasaportave dhe kartave të identitetit, diçka që ishte poshtëruese dhe përtej dinjitetit njerëzor, sot është e rregulluar dhe është brenda afatit të përcaktuar me ligj. Mund të them se ajo që dikur ka qenë sfidë, sot është një detyrë rutinë, nuk duhet të jetë sfidë, por fatkeqësisht në të kaluarën ka qenë sfidë e madhe”, tha Mickoski më 1 tetor të këtij viti.

Meta.mk ka kërkuar nga MPB-ja numrat e kërkesave për lëshimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave nga janari deri në shtator të këtij viti. Prej tyre mund të konstatohet se numri më i madh i kërkesave ka qenë në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa në tre muajt e fundit shifrat kanë rënë dukshëm.

Pasaporta Letërnjoftime
Janar 94.594 82.493
Shkurt 118.094 81.655
Mars 89.043 63.024
Prill 75.285 54.702
Maj 54.314 41.192
Qershor 47.571 37.983
Korrik 58.546 42.701
Gusht 38.054 30.984
Shtator 24.131 29.262

Vendimi ishte që brenda shkurtit të vitit 2024, të gjithë qytetarët të ndryshonin dokumentet e tyre personale me emrin e ri të shtetit, gjë që çoi në një kolaps të plotë të sistemit. Qytetarët nuk mund të caktonin termin elektronik për të marrë kartat e identitetit dhe numrat e telefonit ishin pothuajse të pamundur për t’u marrë. Edhe pas qindra tentativave, qytetarët kanë mundur të caktojnë termin falas për fotografim, por kjo ka ndodhur vetëm pas disa muajsh. E gjithë kjo i detyroi qytetarët që të caktojnë terminet sipas procedurës urgjente dhe të paguajnë çmime disa herë më të larta.

Me formimin e qeverisë teknike në janar të këtij viti dhe ardhjen e Pançe Toshkovskit si ministër teknik i Punëve të Brendshme, problemi gradualisht filloi të zgjidhej, por gjithsesi, bëhej fjalë për qeveri teknike dhe jo për qeveri të formuar pas zgjedhjeve parlamentare.

Prandaj, është pjesërisht e vërtetë se Qeveria në këto 100 ditë ka arritur ta zgjidhë problemin me dokumentet personale, i cili daton vitin e kaluar. Në 3 muajt e fundit ka rënie të kërkesave të paraqitura për dokumente personale, pasi shumica e qytetarëve tashmë kanë ndryshuar dokumentet.

Sipas të dhënave të MPB-së, nga data 01.01.2024 deri më 30.09.2024 janë fotografuar 599.632 persona për dokumente udhëtimi dhe 463.997 persona për letërnjoftime.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.