Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave, në RMV u formua grupi institucional për krijimin e politikave për barazi gjinore

Me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup do mbahet takimi i parë koordinues i Grupit të sapoformuar Institucional për krijimin e politikave lidhur me barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale (RESI), raporton Portalb.mk. Grupi institucional përbëhet nga përfaqësues të institucioneve si Ministria e Shëndetësisë, Ministria […]

tetor 11, 2024 - 16:00
 0  7
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave, në RMV u formua grupi institucional për krijimin e politikave për barazi gjinore
Grupi institucional për krijimin e politikave për barazi gjinore. Foto: HERA

Me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup do mbahet takimi i parë koordinues i Grupit të sapoformuar Institucional për krijimin e politikave lidhur me barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale (RESI), raporton Portalb.mk.

Grupi institucional përbëhet nga përfaqësues të institucioneve si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Administratës Publike, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Kuvendit.

Drejtoresha e programit të HERA-s, Elizabeta Bozhinoska, theksoi se përmes kësaj iniciative presin të krijojnë politika gjithëpërfshirëse gjinore që do të kontribuojnë dukshëm në zvogëlimin e dallimeve ndërmjet njerëzve dhe do të sigurojnë të drejta të barabarta, mundësi, burime dhe respekt për të gjithë individët pa dallime.

Në ndërkohë sot shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Vajzave.

“Mbështetja e vajzave nuk ka të bëjë vetëm me sigurimin e tyre me arsim dhe mundësi, por edhe me krijimin e një mjedisi ku ato të ndjehen të sigurta dhe të lira nga paragjykimet. Kjo nënkupton inkurajimin e ambicieve të tyre, dëgjimin e zërit të tyre dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse”, thanë nga shoqata HERA.

Tema e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave 2024 është “Vizioni i Vajzave për të ardhmen”.

“Tema e këtij viti përcjell nevojën për veprim urgjent dhe shpresë të vazhdueshme, të nxitur nga fuqia e zërave të vajzave dhe vizioni për të ardhmen”, thonë nga Kombet e Bashkuara.

Më 19 dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 66/170 për të shpallur 11 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Vajza, për të njohur të drejtat e vajzave dhe sfidat unike me të cilat përballen vajzat në mbarë botën.