RMV, katastrofike është gjendja e ski-qendrës “Kodra e Diellit” para fillimit të sezonit dimëror, do të punojë vetëm hotel “Sllavija”
Para fillimit të sezonit turistik dimëror, qendra e skijimit “Kodra e Diellit” është në gjendje shumë të keqe. Nuk është kryer kontrolli teknik i shtatë ski-ashensorëve dhe teleferikëve, të punësuarve u janë vonuar dy paga, hapja e hotelit “Sllavija” është në shenjë pikëpyetje, ndërsa për hotelin “Kodra e Diellit” është vendosur të mos punojë. Para […]
Para fillimit të sezonit turistik dimëror, qendra e skijimit “Kodra e Diellit” është në gjendje shumë të keqe. Nuk është kryer kontrolli teknik i shtatë ski-ashensorëve dhe teleferikëve, të punësuarve u janë vonuar dy paga, hapja e hotelit “Sllavija” është në shenjë pikëpyetje, ndërsa për hotelin “Kodra e Diellit” është vendosur të mos punojë. Para dhjetëra ditëve përfundimisht është emëruar drejtues i ri i Qendrës së skijimit, i cili thotë se po ndërmerren aktivitete për sanim të gjendjes, me qëllim që ky sezon dimëror të fillojë në kohë, por kushtet për këtë kanë qenë jashtëzakonisht të këqija, shkruan SDK.mk, njofton Portalb.mk.
“Tani të gjithë punonjësit tanë punojnë në mënjanimin e defekteve në ski-ashensorët që të mund të pajisen me pranim teknik. Kemi rregulluar dy ski-ashensorë, vazhdojmë me rregullimin edhe të tjera, por me këtë punë jemi shumë vonë për shkak se e gjithë kjo duhej të përfundojë prej para dy-tre muajve, e jo tani, para fillimit të sezonit. Do të punohet edhe në periudhën e ardhshme, por më shumë probleme teknike dhe defekte kemi në teleferikun gjashtëulëshe. Deri tani janë aftësuar vetëm ski-ashensorët ‘Aerodrom’ dhe ‘Ge’. Madje pasi që t’i mënjanojmë të gjithë defektet, atëherë do të mund të thirrim komision që të bëjë pranim teknik dhe të konfirmojë se gjërat janë në rregull. Megjithatë, besoj se deri në fillim të sezonit do të arrijmë t’i rregullojmë punët”, deklaroi Abdulgani Aliji, udhëheqës i Shoqatës për turizëm, hotelieri, rekreacion dhe sport Qendra e skijimit “Kodra e Diellit”.
Në gjendje të palakmueshme janë edhe dy hotelat në pronësi të Qendrës së skijimit – “Sllavija” dhe “Kodra e Diellit” Për gjendjen e keqe Aliji e akuzon udhëheqësinë paraprake të Qendrës së skijimit.
“Sivjet në funksion do të jetë vetëm hoteli ‘Sllavija’, që do të mund ta aftësojmë për punës, ndërsa hoteli ‘Kodra e Diellit’ është në gjendje katastrofike dhe atje këtë sezon nuk do të ketë kurrfarë kushte për akomodim dhe qëndrim. Gjithashtu, kemi probleme me pagesën e punëtorëve, të cilëve u janë vonuar dy paga, për çka menjëherë kërkuam ndihmë nga ELEM-i. Problem do të jetë edhe numri i personave të angazhuar në Qendrën e skijimit, për shkak se tani jemi vetëm 42, ndërsa sipas sistematizimit, për funksionim normal nevojitet të ketë 79 persona”, thotë Aliji.
Nëse merret leja e nevojshme teknike dhe nëse këtë sezon dimëror ka borë, atëherë biletat sezonale për ski-ashensorët të blerë vitin e kaluar do të vlejnë edhe këtë dimër, për shkak se vjet nuk kishte ditë të mjaftueshme me dëborë që ato të mund të shfrytëzohen.
Nga Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” tani për tani nuk mendojnë për investime të reja, por janë të orientuar sa më shumë që është e mundur që deri në fillim të sezonit të ri të skijimit t’i përfundojnë punët dhe t’i presin skijatorët e parë. Për investime, siç thonë, Qeveria duhet të mendojë.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, muajin që lam pas, tha se këtë muaj do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit. Megjithatë, Kasami edhe në të kaluarën ka dhënë afate për miratimin e këtij plani urbanistik, por që nuk u realizuan.
Kasami më 26 shtator 2024 theksoi se Kodra e Diellit nuk është harruar dhe se së shpejti pritet të shpallet plani i ri urbanistik për qendrën e skijimit.
Pushteti i kaluar me pompozitet paralajmëroi se ka gjetur investitor serioz nga Italia, i cili ka qenë i përgatitur të investojë mjete financiare në ripërtëritjen e “Kodrës së Diellit”, por nga ai nuk ka as gjurmë, as zë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, paradokohe deklaroi se ka tentuar të hyjë në kontakt me këtë investitor italian, por nuk ka arritur ta gjejë.
“Unë nuk e di se kush dhe çka ishte ai investitor. Për fat të keq, në qeverinë paraprake gjithë ishte te ministrat. Ministri paraprak kishte njëfarë marrëveshje me gojë me investitorin, por shkoi ministri, shkoi edhe investitori. Unë shpreha dëshirë që të shihem me investitorin, të shohë se cili është interesi i tij, por nuk kishte kurrfarë marrëveshje”, deklaroi paradokohe Kasami.
Ministri i atëhershëm i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini në Qeveri nënshkroi marrëveshje me kompaninë italiane “TehnoAlpin” nga Bolcano, Tiruli Jugor në Itali për përgatitje të projektit për ripërtërirje dhe zhvillim të Kodrës së Diellit. Kompania e prezantoi projektin në Qeveri në dhjetor të vitit 2022. Sipas projektit, investimi duhej të realizohet duke filluar nga viti 2023 dhe të realizohet në 6 faza investimi prej të cilave, e para ishte paraparë të kushtojë përafërsisht 55 milionë euro.
- LEXO: Kodra e Diellit nuk është prioritet për Qeverinë e re, nuk tregojnë pse zvarritet investimi italian
- LEXO: Afat i ri për premtimin e vjetër, Kasami: Muajin e ardhshëm do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit
- LEXO: Kompania italiane “TechnoAlpin” prezantoi planin për investimin e saj në Kodrën e Diellit, parashihen shtatë faza
- LEXO: Ministri Nuredini e tregoi emrin e investitorit për Kodrën e Diellit që planifikon të investojë 186 milionë euro
- LEXO: Kodrën e Diellit e pret edhe një dimër i zymtë, nuk ka as investitorë evropianë dhe as koncesioner të ri për menaxhim