Berisha përkujton intelektualët e vrarë gjatë komunizmit: Diktatura sot u vendos me bekimin e SHBA
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një video mesazhi ka përkujtuar me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Tiranës, intelektualët e vrarë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, i cili sipas tij zgjodhi të ekzekutonte të gjithë kundërshtarët e tij. Ish-kryeministri Berisha u shpreh se edhe sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë e re […]
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një video mesazhi ka përkujtuar me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Tiranës, intelektualët e vrarë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, i cili sipas tij zgjodhi të ekzekutonte të gjithë kundërshtarët e tij.
Ish-kryeministri Berisha u shpreh se edhe sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë e re me bekimin e SHBA dhe ndikimin e Sorosit dhe për këtë arsye iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për ta larguar atë, njësoj siç bënë amerikanët me zgjedhjen e Trump.
“Më 17 nëntor banda e Enver Hoxhës, e shndërruar në vegël të Beogradit do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi e kishte shndërruar luftën për liri në një luftë antikombëtare, vëllavrasëse. Ne sot nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. Në fakt ato janë mbi 100. Nderojmë një nga masakrat më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit dhe përfaqësuesi i tyre Enver Hoxha. E ekzekutuar nga Kristo Themeleko dhe Beqir Balluku. Heronjtë e kësaj masakre ishin atdhetar që luftuan kundër pushtuesve dhe kishin ndërgjegje të qetë dhe asnjë motiv për t’u larguar. Natyrisht ata ishin të papajtueshëm me ideologjinë çnjerëzore komuniste. Ata ishin pasardhës të familjeve që kishin firmosur pavarësinë dhe kishin dhënë kontribut për shtetin shqiptar. U vranë në mënyrë tinëzare në pragun e derës dhe të ekzekutuar në bodrum. Të hedhur në Priskë në lumë. Kjo është një masakër makabër dhe që dhe vetë ata që e kryen e dënuan. Vazhduan për 46 vite ekzekutimin e armiqve të tyre, qëndrestarëve të fjalës së lirë. Sot përulemi me nderim para veprës të viktimave të kësaj masakre, familjeve të tyre, por sot shpirti i tyre, sakrifica e tyre ka një mesazh. Mesazhi për cdo shqiptar është të zgjohemi dhe të mos besojmë tek ai që nuk duhet besuar kurrë. Enver Hoxha urdhëroi ekzekutimin e tyre sepse e dinte që ata nuk do të pajtoheshin me ideologjinë e tij, por sot pas 46 vitesh e vërteta është se Shqipëria po përjeton një diktaturë të re, e cila nuk ka të shpallur si ideologji marksizmin, por përdor metoda terroriste të saj për të mbajtur pushtetin, për të kontrolluar vullnetin e shqiptarëve, për të kontrolluar ekonominë, mediat, shoqërinë civile. Pra sot jemi në një diktaturë të re e cila ka në krye bastardët e atyre që ekzekutuan si në vitin 44 dhe 88, kundërshtarët politikë, Edi Rama, Belinda Balluku etj. Historia është histori. Detyrimi ynë sot dhe nderimi që mund ti bëjmë sakrificës së martirëve dhe shqiptarëve të tjerë që ranë për t’u bërë të pavdekshme nga terrori i kuq, është të ngrihemi kundër kësaj diktature bandash, ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, ekonomia kontrollohet prej tij. Pak muaj para zgjedhjeve u burgosën drejtuesit e opozitës, për t’i thënë popullit opozitar se nuk kanë asnjë shans. Nderimi më i madh që iu bëjmë martirëve të fjalës së lirë është të bashkohemi dhe të bëjmë gjithçka për të shpëtuar vendin nga kjo e keqe. Kjo diktaturë u vendos me bekimin e vendit të madh të lirisë SHBA. Mafia shqiptaro amerikane Rama-Soros zgjodhi për të goditur opozitën në një akt që përbën grusht shteti. Fantazma e komunizmit u zgjua në SHBA. Ajo si në doktrinën e Marksit ndërmorri një agresion kundër dinjitetit të individit, lirisë së fjalës, familjes, themel i shoqërisë. Por kombi amerikan bëri mrekullinë. Më 5 nëntor hodhi në koshin e plehrave të historisë të gjithë atë platformë me inspirim marksist-leninist dhe votoi lirinë. Amerikën e Kushtetutës, e njerëzve të lirë”, tha Berisha.