RMV, pesë muaj pa veprim, Antikorrupsioni heziton për emërimet e kontestuara të u.d. drejtorëve
Edhe pse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), para pesë muajsh paralajmëroi se do të monitorojë me vëmendje emërimet e ushtruesve të detyrës së drejtorëve në institucionet shtetërore, deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat të dukshëm në këtë drejtim. Pas ndryshimit të qeverisë, u realizuan një sërë emërimesh në pozita drejtuese, por ende […]
Edhe pse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), para pesë muajsh paralajmëroi se do të monitorojë me vëmendje emërimet e ushtruesve të detyrës së drejtorëve në institucionet shtetërore, deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat të dukshëm në këtë drejtim. Pas ndryshimit të qeverisë, u realizuan një sërë emërimesh në pozita drejtuese, por ende nuk janë marrë vendime për ligjshmërinë e këtyre emërimeve. Sipas një përgjigjeje nga Komisioni për Portalb.mk, puna për këtë çështje është ende në proces dhe, pas konstatimi të gjendjes, vendimet përkatëse do të publikohen në ueb-faqen zyrtare të KSHPK-së.
“Veprimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me emërimin e ushtruesve të detyrës së drejtorëve në institucionet shtetërore është ende në rrjedhë. Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit po ndërmerren veprime për konstatimin e gjendjes faktike, pas së cilës do të merret vendim në mbledhje publike, e cila do të publikohet në ueb-faqen e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e Antikorrupsionit.
Me ardhjen e përbërjes së re qeveritare pati një numër të madh emërimesh u.d drejtor, për të cilat KSHPK-ja në korrik tha po i ndjekë nga afër dhe se do të shqyrtojë secilin rast individualisht për të përcaktuar nëse emërimet janë në përputhje me rregulloret ligjore dhe nëse ato janë të parapara dhe të lejuara.
“Nëse konstatohet se emërimet janë në kundërshtim me rregulloret ligjore, KSHPK do të marrë masat e duhura dhe do të fillojë procedurën me iniciativë të saj. Komisioni avokon për garantimin e ligjshmërisë dhe transparencës në procesin e emërimeve dhe emërimeve në institucionet shtetërore. Qëllimi i këtyre kontrolleve është të sigurohet se çdo emërim është bërë në përputhje me ligjet në fuqi dhe se nuk ka shpërdorim detyre për interesa personale apo politike”, thanë nga KShPK.
Komisioni tha se do të vazhdojë monitorimin dhe me punën e tij do të kontribuojë në ruajtjen e integritetit dhe besimit në institucionet e sektorit publik.
Me ushtrues të rinj të detyrës drejtor u bënë disa institucione, ndër to DZZhT, Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Pyjet Nacionale, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
Pastaj, këto u.d. drejtorë sërish do të emërojnë ushtruesit (e tyre) të detyrës drejtorë me mandat 6 mujor në institucionet që janë nën ombrellën e tyre dhe kështu ky proces do të përhapet pothuajse në çdo të dytin institucion.
Këtë e nxori në pah edhe hulumtimi i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) për periudhën e kaluar – se instituti “ushtrues detyre ose u.d.” përdoret në të gjitha fushat e veprimit dhe në të gjitha llojet e institucioneve. Kështu, gjatë viteve të kaluara, ushtrues detyre (u.d.) janë emëruar 39 përqind e drejtorëve të 252 institucioneve nga sektori publik.
Praktika e emërimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve në institucione shtetërore, e cila ka shënuar një rritje të konsiderueshme kohët e fundit, shpesh herë mund të interpretohet si një formë e partizimit të administratës shtetërore. Emërimi i ushtruesve të detyrës në pozita të rëndësishme drejtuese duket se është i lidhur ngushtë me lidhjet partiake, duke përfshirë individë që shpeshherë kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me partitë që janë në pushtet. Kjo praktikë e shpërndarë gjerësisht në institucione të ndryshme shtetërore ka nxitur shqetësime të mëdha, pasi ajo mund të krijojë një administratë publike që është më e interesuar për përfitimet politike të grupeve të caktuara sesa për përmbushjen e detyrave të saj në përputhje me ligjin dhe interesin publik.
Në shumë raste, kandidaturat për pozita drejtuese nuk bazohen në aftësitë dhe meritat profesionale, por në përkatësinë partiake të individëve. Ky fenomen jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në sistemin e administratës shtetërore, por gjithashtu dëmton integritetin e institucioneve, duke i kthyer ato në mjete të manipulimit politik. Në vend që të zgjidhen drejtorët dhe funksionarët publikë në përputhje me standardet ligjore dhe meritokratike, procesi i emërimit shpesh bëhet një shprehje e ndikimeve partiake që sjellin pasiguri dhe mungesë të transparencës në menaxhimin e resurseve dhe politikave publike.
Përdorimi i praktikës së ushtruesve të detyrës, si një zgjidhje për të mbushur pozitat drejtuese deri në emërimin e drejtorëve të përhershëm, mund të jetë i justifikuar në raste emergjente. Por, kur kjo praktikë bëhet një rutinë dhe përdoret masivisht, krijon një klimë të përhershme të pasigurisë dhe të ndarjeve partiake në administratën shtetërore. Kjo jo vetëm që krijon përçarje, por gjithashtu përmbys parimin e transparencës dhe të administratës së përgjegjshme, duke favorizuar grupet që kanë lidhje me pushtetin politik aktual dhe duke lënë pasdore meritokracinë dhe drejtësinë.
Dëshpërues është fakti që në mesin e tre ligjeve për administratë që u futën në procedurë kuvendore mungoi Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës, që parasheh vendosjen e meritokracisë në përcaktimin e drejtorëve. Duket se ligji nuk është ndër prioritetet e qeverisë së re dhe Ministrisë së Administratës, edhe pse Komisioni Europian po e kërkon, ndërkaq në Strategjinë shtetërore për Reformën e Administratës Publike është vendosur si nevojë themelore, me arsyetimin se pikërisht nga ai duhet të fillojnë ndryshimet.
Në Raportin e ri të progresit për Maqedoninë e Veriut të Komisionit Evropian thuhet se rekomandimet e bëra nga viti i kaluar nuk janë zbatuar plotësisht, prandaj ende vlejnë. Mes tyre është edhe nevoja e miratimit të ligjit në fjalë.
“Autoritetet duhet që gjatë këtij viti të miratojnë dhe të fillojnë të zbatojnë Ligjin e rishikuar për Nëpunësit Administrativ, Ligjin e rishikuar për Punonjësit e Shërbimeve Publike dhe dispozitat ligjore për Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës.” thuhet mes tjerash në raport.