RMV, nëntë zjarre aktive, pengesa për shuarjen e zjarreve për shkak të tymit shumë të dendur

Nga gjithsej tridhjetë zjarre të djeshme, nëntë janë ende aktive, ndërsa pesë janë vënë nën kontroll për të parandaluar përhapjen e tyre, tha sot në mëngjes drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angelov, transmeton Portalb.mk. Pesëmbëdhjetë zjarre janë shuar plotësisht, por Angelov thotë se nuk janë të sigurt se do të ndizen […]

Korrik 21, 2024 - 19:30
 0  4
RMV, nëntë zjarre aktive, pengesa për shuarjen e zjarreve për shkak të tymit shumë të dendur
Shuarje e zjarreve. Foto printscreen nga video e QMK-së

Nga gjithsej tridhjetë zjarre të djeshme, nëntë janë ende aktive, ndërsa pesë janë vënë nën kontroll për të parandaluar përhapjen e tyre, tha sot në mëngjes drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angelov, transmeton Portalb.mk.

Pesëmbëdhjetë zjarre janë shuar plotësisht, por Angelov thotë se nuk janë të sigurt se do të ndizen sërish. Zjarret aktive do të shuhen sot me traktorë dhe helikopterë.

“Nesër në shuarjen e zjarreve prioritet do t’i japim zjarrit në Komunën e Çashkës në zonën e fshatrave Gabrovnik, Mokreni, Jabolçishtë dhe Drenovë në drejtim të majës së Lisecit. Aty do të angazhohen dy helikopterë, një i Policisë dhe një i ushtrisë, me forca shtesë të angazhuara lokale, zjarrfikës lokalë, popullatë lokale dhe 55 pjesëtarë të ushtrisë. Një helikopter i ushtrisë, MI 17, do të angazhohet në komunën e Makedonski Brod në atarin e fshatit Tazhevë në drejtim të fshatit Breznicë. Për fat të keq ajo zonë, për shkak të tymit, nuk është mundur të veprohet, presim që tymi të largohet për ta dërguar përsëri atje. Po ashtu, në terren janë angazhuar edhe zjarrfikësit lokalë dhe popullata lokale, të cilët kanë mbështetjen e 30 pjesëtarëve të Armatës”, tha  Angelov.

Në territorin e Komunës së Kavadarit në afërsi të fshatit Farish do të operojnë dy traktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim me 20 pjesëtarë shtesë të njësisë speciale kundër terrorizmit “Tigri”.

Komunën e Gradsko, afër Krivolakut në drejtim të Bregalnicës, Angelov thotë se sërish është një zjarr i madh, i cili ka një front prej dhjetë kilometrash.

“Është zjarri që dje ka shkaktuar ankth tek qytetarët e Shtipit, zjarri tymi i të cilit është ndjerë edhe në Sveti Nikollë. Ka djegie të forta edhe pse vetëm bari dhe bredhi i ulët digjet. Do të mundohemi ta ndalojmë në rrugën që kalon rreth poligonit ushtarak të Krivolakut. Do të mundohemi që të mos kalojë rrugën sepse linja e zjarrit është shumë e madhe”, tha Angelov.

Angelov ka njoftuar rreth mesditës për një zbërthim të ri të situatës me zjarret.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.