Rokas: Ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj RMV-së për hapjen e kapitullit të negociatave

Të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë vazhdimisht në forcimin e rolit të Kuvendit si forum për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në drejtim të përshpejtimit të reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bëri thirrje sot në Kuvend ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane […]

Jan 17, 2025 - 20:00
 0  3
Rokas: Ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj RMV-së për hapjen e kapitullit të negociatave
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto: Delegacioni i BE-së

Të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë vazhdimisht në forcimin e rolit të Kuvendit si forum për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në drejtim të përshpejtimit të reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bëri thirrje sot në Kuvend ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, në rendin e ditës së të cilit ishte Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Rokas tha në fjalën e tij se duhet shfrytëzuar vrullin e favorizimit të Komisionit Evropian ndaj vendit tonë, siç tha ai, për të nisur negociatat për anëtarësim në Union.

“Dëshiroj t’ju inkurajoj që të përfitoni nga momenti aktual i prirjes drejt zgjerimit. Ka një vrull të vërtetë, ka përkushtim të vërtetë. Nga ana jonë, ne jemi të përkushtuar dhe të gatshëm t’ju ndihmojmë të hapni rrugën drejt Bashkimit Evropian. Siç e keni parë të gjithë në raportet e fundit nga Brukseli, ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut për të hapur kapitullin e parë të negociatave. Presidenti i ri i Këshillit, Komisioneri i ri për Zgjerimin dhe Zëvendëspresidenti i ri i Komisionit Callas kanë shprehur të gjithë mbështetjen e tyre për rrugën tuaj drejt BE-së”, tha ambasadori evropian.

Ai u tha deputetëve që “këtë mundësi ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, para së gjithash për përfitimet e qytetarëve që duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, “fryma e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të mirë mes Kuvendit dhe Parlamentit të sapozgjedhur Evropian konfirmohet sërish me mbledhjen e 23-të të Komisionit të Përbashkët Parlamentar që do të mbahet në Shkup” dhe, siç tha ai, kjo konfirmohet edhe nga komunikimi me reporterin e ri nga PE, Thomas Weitz. Ai gjithashtu theksoi se për vazhdimin e reformave të nisura, në dispozicion të tyre është edhe dialogu Jean Monnet.

Ambasadori evropian vuri në dukje se zgjedhjet dhe emërimet “në pozita të caktuara në institucionet dhe agjencitë shtetërore duhet të jenë me kohë dhe të bazuara në merita” dhe flamuri evropian duhet të përdoret gjatë miratimit të ligjeve vetëm kur bëhet fjalë për ligjet për përputhje me legjislacionin e Bashkimi Evropian.

“Përbërja e re parlamentare duhet të përshpejtojë punën e saj dhe të vazhdojë me reformat që janë të nevojshme për procesin e integrimit evropian të vendit, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese. Parlamenti duhet të miratojë një agjendë që do të zvogëlojë përdorimin e procedurës legjislative të shkurtuar ose urgjente dhe t’i kushtojë vëmendje përdorimit të duhur të flamurit evropian, një procedurë që është vërejtur shumë në të kaluarën. Përdorimi i flamurit evropian në procedura duhet të lidhet vetëm me ligjet që synojnë të harmonizohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të bazohen në konsultime gjithëpërfshirëse, duke përfshirë konsultimet me Komisionin Evropian”, tha Rokas.

Duke iu referuar raportit të KE-së, ai tregoi se përbërja e dhjetë parlamentare e ka kryer mandatin kryesisht në mënyrë të kënaqshme, ka pasur polarizim politik dhe, siç tha ai, “ka pasur një vonesë në emërimin e posteve të caktuara në institucionet e shtetit”.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.