Sindikata e Postës së Maqedonisë së Veriut kërkon sistematizim të ri, paralajmëron protesta dhe grevë

Sindikata e Postës së Maqedonisë njoftoi se në bashkëpunim me punëtorët dhe me angazhimin e ekspertëve do të përgatisë sistematizim të ri që do t’ia dorëzojë qeverisë së re me kërkesë që të aplikohet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. Sindikata ankohet se as Bordi Drejtues dhe as Qeveria si themelues i kompanisë nuk iu përgjigjën thirrjeve […]

Prill 16, 2024 - 19:00
 0  4
Sindikata e Postës së Maqedonisë së Veriut kërkon sistematizim të ri, paralajmëron protesta dhe grevë
Posta e Maqedonisë së Veriut, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Sindikata e Postës së Maqedonisë njoftoi se në bashkëpunim me punëtorët dhe me angazhimin e ekspertëve do të përgatisë sistematizim të ri që do t’ia dorëzojë qeverisë së re me kërkesë që të aplikohet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. Sindikata ankohet se as Bordi Drejtues dhe as Qeveria si themelues i kompanisë nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre për zgjidhjen e kushteve të këqija në Postë, transmeton Portalb.mk.

Posta është në prag të ekzistencës, tha sot kryetari i sindikatës Boro Veligdenov në një konferencë për shtyp para Qeverisë, duke shtuar se janë në rrezik mbi 2000 vende pune.

Sipas tij, është e rëndësishme që politika e keqe kadrovike dhe partizimi të mos vazhdojë, ndërsa si problem kyç e vuri në dukje sistematizimin.

“Qëllimi ynë është të përgatisim sistematizim të ri që të jetë në përputhje me nevojat e kompanisë dhe tregut. Le të vëmë theksin në procesin teknologjik, në përpunimin e dërgesave dhe të gjitha ato anomali dhe probleme në punë, me atë sistematizim do të kapërcehen dhe do të pozicionohemi në treg. Qytetarëve do t’ua kthejmë Postën e Maqedonisë, me dorëzim të rregullt dhe në kohë të paketave. Nëse nuk ka më punëtorë që nuk vijnë në punë, ka punëtorë që vijnë dhe nuk e dinë se çfarë pune kanë. Prandaj ky sistematizim i ri është për të rritur produktivitetin në punë dhe me këtë do të rrisim të ardhurat dhe do të mund të funksionojmë në mënyrë të pavarur si kompani”, tha Veligdenov.

Ai ka theksuar se tashmë janë duke u konsultuar me anëtarësinë për organizimin e një proteste të re dhe fillimin e procedurës së grevës, pasi që pas protestës së muajit të kaluar nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat për takim me Bordin Drejtues dhe Qeverinë.

Punonjësit e Postës së Maqedonisë me 18 prill, dolën në protestë dy orëshe për, siç thanë ata, gjendjen e rëndë financiare të shoqërisë aksionare. Punonjësit nuk e kishin marrë rrogë,  ndonëse afati ligjor kishte kaluar. Ata thanë se kjo situatë vjen si pasojë e mbipunësimit në administratë dhe në pozita drejtuese.