Snopçe: “KSHZ po vonon qëllimisht shpalljen e rezultateve – zgjedhjet e përsëritura, para Vitit të Ri
Deputeti Halil Snopçe ka reaguar ndaj vonesës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve lokale në vend, duke ngritur dyshime se kjo shtyrje mund të The post Snopçe: “KSHZ po vonon qëllimisht shpalljen e rezultateve – zgjedhjet e përsëritura, para Vitit të Ri appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Deputeti Halil Snopçe ka reaguar ndaj vonesës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve lokale në vend, duke ngritur dyshime se kjo shtyrje mund të jetë e qëllimshme dhe e koordinuar me qeverinë.
Në një konferencë për media, Snopçe theksoi se me këtë vonesë po rrezikohet që zgjedhjet e përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Zhupë të mbahen në periudhën kur mërgata nuk është më në vendlindje.
Sipas tij, afati 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura ka nisur më 29 tetor, dita kur KSHZ shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë dhe konstatoi se në katër komunat nuk ishte arritur cenzusi.
“Afati ligjor fillon nga shpallja e rezultateve përfundimtare, jo nga përfundimi i procesit zgjedhor. Prandaj, zgjedhjet në këto komuna duhet të mbahen më së voni deri në fund të dhjetorit. Nuk ka arsye të pritet deri më 11 janar, siç është lënë të kuptohet,” – deklaroi Snopçe.
Deputeti kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, që të tregojë “pavarësi dhe guxim institucional”, duke caktuar datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri, në mënyrë që procesi të zhvillohet brenda afatit ligjor dhe mërgata të ketë mundësi të votojë.
“Zoti Gashi, tregoni madhështi dhe caktoni datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri. Është në dorën tuaj të dëshmoni se respektohet ligji dhe se mërgatës nuk i mohohet e drejta e pjesëmarrjes në proceset demokratike,” – theksoi ai.
Snopçe kujtoi se në zgjedhjet lokale të vitit 2021, KSHZ kishte njoftuar qeverinë për përsëritjen e procesit vetëm gjashtë ditë pas përfundimit të raundit të parë, pa pritur mbarimin e raundit të dytë, ndërsa këtë herë, sipas tij, vonesa është e pakuptimtë.
Deputeti ngriti gjithashtu dilema për interpretimin e nenit 132 të Ligjit për Zgjedhje, që përcakton përsëritjen e procesit kur nuk arrihet cenzusi. Ai pyeti nëse përsëritja nënkupton nisje të re me kandidatët ekzistues apo mundësi për kandidatë të rinj.
“Nëse lejohen kandidatë të rinj, atëherë ku qëndron logjika që për ta të mos ketë cenzus? Kjo do të krijonte një situatë të padrejtë, me kandidatë të privilegjuar dhe të tjerë të diskriminuar. Zgjedhjet duhet të përsëriten me të njëjtët kandidatë – vetëm kështu ka logjikë dhe përputhje me ligjin,” – shtoi Snopçe.
Ai paralajmëroi se lejimi i kandidatëve të rinj do ta bënte të pamundur organizimin teknik të zgjedhjeve brenda afatit 60-ditor, duke qenë se vetë procedurat mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit mund të zgjasin deri në 30 ditë.
Në fund të fjalës së tij, deputeti apeloi për respektim të plotë të ligjit dhe barazi për të gjithë kandidatët, duke i ftuar institucionet të tregojnë vullnet politik dhe integritet në menaxhimin e procesit zgjedhor.
“Mos e përsërisni gabimin e mëparshëm ndaj mërgatës. Le ta dëshmojmë të gjithë bashkë forcën dhe ndikimin e saj, të paktën në këto katër komuna,” – përfundoi Snopçe.
The post Snopçe: “KSHZ po vonon qëllimisht shpalljen e rezultateve – zgjedhjet e përsëritura, para Vitit të Ri appeared first on Flaka, në çdo lajm... .