Sveçla: Ka nisur procesi për një administratë profesionale e të depolitizuar

Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar Konferencën për Reformën e Administratës Publike (RAP) në Kosovë në bashkëpunim me zyrën e Kryeministrit, Departamentin për Reformën e Administratës Publike dhe OECD/SIGMA. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se është nisur procesi për një administratë profesionale dhe të depolitizuar, e cila funksionon sipas parimeve të

Mars 20, 2025 - 19:00
 0  4
Sveçla: Ka nisur procesi për një administratë profesionale e të depolitizuar
svecla:-ka-nisur-procesi-per-nje-administrate-profesionale-e-te-depolitizuar

svecla:-ka-nisur-procesi-per-nje-administrate-profesionale-e-te-depolitizuar

Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar Konferencën për Reformën e Administratës Publike (RAP) në Kosovë në bashkëpunim me zyrën e Kryeministrit, Departamentin për Reformën e Administratës Publike dhe OECD/SIGMA.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se është nisur procesi për një administratë profesionale dhe të depolitizuar, e cila funksionon sipas parimeve të meritokracisë, transparencës dhe efikasitetit.

Siç njofton Ministria, Sveçla në fjalën hyrëse të konferencës foli për rëndësinë e një administrate publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse, si bazë për të gjitha reformat e tjera.

Ai vuri në dukje përpjekjet për ta përmirësuar jetën e qytetarëve përmes shërbimeve më të mira, rritjes ekonomike, drejtësisë, punësimit dhe integrimit evropian.

Më tutje ai tha se kjo administratë shpërblehet nëpërmjet një sistemi pagash të unifikuar, të ligjshëm dhe transparent.

Duke folur për përparimet, ministri tha se qeveria është e përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve dhe racionalizimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Vizioni, sipas tij, është një administratë e qëndrueshme, me rekrutime transparente, shërbime digjitale dhe llogaridhënie të rritur të nëpunësve civilë.

“Ministri Sveçla vuri në dukje raportin e OECD/SIGMA, i cili vlerëson përmirësimet e Kosovës, duke e vendosur atë mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor në fushat e zhvillimit të politikave, ofrimit të shërbimeve dhe menaxhimit të financave publike. Ai theksoi se sistemet e fuqishme të kontrollit të brendshëm dhe auditimit janë një nga forcat e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Një element tjetër i rëndësishëm është perceptimi pozitiv i qytetarëve dhe bizneseve ndaj administratës.

Sipas anketave, besimi i qytetarëve në shërbimin civil është 25 % mbi mesataren e rajonit.

Ministri përmendi sfidat e mbetura, por shprehu përpjekjen për ta vazhduar punën për një administratë moderne dhe të transformuar. Ai i falënderoi zyrtarët e administratës për kontributin e tyre në këtë proces.

Konferenca u zhvillua në dy sesione. Në sesionin e parë panelistë, përveç ministrit Sveçla, ishin edhe Johannes Stenbæk Madsen, udhëheqës i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian (ZBE) për Kosovën, dhe Peter Vagi, menaxher i Vendit në Kosovë për OECD/SIGMA. U diskutua rreth gjetjeve kryesore të raportit të OECD/SIGMA për vitin 2024 dhe u prezantuan pikëpamje të ndryshme nga Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, dhe Naser Shamolli, këshilltar i lartë për politika në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

Në sesionin e dytë panelist ishin Arben Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fahrije Ternava-Sheremeti, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Peter Vagi, menaxher i Vendit në Kosovë për OECD/SIGMA.

Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe shërbimeve publike, duke theksuar rolin kryesor të RAP-it në integrimin evropian të Kosovës.

Përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, Departamentit për RAP dhe OECD/SIGMA nënvizuan nevojën për një qasje koordinuese për ta modernizuar administratën publike, duke e bërë atë më efikase dhe të përgatitur për integrimin në Bashkimin Evropian (BE).

“Në përmbyllje u vu në dukje rëndësia e vazhdimit të punës për modernizimin e administratës publike, duke e bërë atë më efikase, transparente dhe të përgatitur për sfidat e integrimit evropian”, njofton Ministria e Brendshme.