Sytë katër për mos të rrëshqitur në akull dhe bërë aksident, rruga te vikend shtëpizat në Kodrën e Diellit e pa pastruar
Rruga te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit është e papastruar mirë dhe e njëjta është e rrëshqitshme. Shumë qytetarë rrëshqasin me veturat e tyre në akull apo ngecin në vend, ata kërkojnë që autoritetet të pastrojnë rrugën në mënyrë që të shmangen aksidentet. Komuna e Tetovës arsyetohet se kanë intervenuar, por në […]
Rruga te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit është e papastruar mirë dhe e njëjta është e rrëshqitshme. Shumë qytetarë rrëshqasin me veturat e tyre në akull apo ngecin në vend, ata kërkojnë që autoritetet të pastrojnë rrugën në mënyrë që të shmangen aksidentet. Komuna e Tetovës arsyetohet se kanë intervenuar, por në teren situata paraqitet ndryshe, shkruan Portalb.mk.
Me rastin e Vitit të Ri shumë qytetarë vendosën që ta kalojnë në Kodrën e Diellit. Por ngjitja deri te shtëpizat, hotelet apo restorantet ishte e vështirë për ata.
“Natën para vitit të ri shkova në Kodër të Diellit, por deri sa u ngjita te shtëpiza vetura më rrëshqiti disa herë, edhe pse i kisha të gjitha pajisjet dimërore, rruga ishte e pa pastruar dhe e ngrirë, u bllokuam në trafik mezi arritëm. Situata ka qenë kështu për tre ditë, sot në mëngjes u ktheva, por nuk ishte ndërmarrë asnjë masë”, tha një qytetare.
Një qytetar tjetër theksoi se ka parë shumë vetura të rrëshqasin ku qytetarët u kanë dalë në ndihmë duke i shtyrë që të lëvizin.
“Nuk është hera e parë, çdo herë kemi këto probleme, pavarësisht masave sa për sy e faqe, duhet intervenim më serioz sepse nuk është se po bëhet diçka më e madhe për këtë qendër turistike. Kam parë shumë vetura të rrëshqasin. Rruga është e rrëshqitshme dhe me akull, duhet të intervenohet vazhdimisht dhe të hidhet më shumë kripë”, tha një qytetar tjetër.
Pavarësisht situatës në teren, Komuna e Tetovës thotë se kanë intervenuar dhe se do të intervenojnë përsëri.
“Ekipi i kontraktuar nga ana e Komunës së Tetovës është në terren dhe po punon në vazhdimësi për pastrimin e rrugëve nga bora. Gjithashtu, në terren po punohet edhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës për të ju mundësuar qarkullim të lirë banorëve. Edhe tek rruga e vikend shtëpizave kemi intervenuar gjatë ditëve të kaluara sigurisht se ekipet përsëri do jenë në terren”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Megjithatë, situata në terren paraqitet ndryshe dhe mjaft sfiduese. Kështu dukeshin rrugët në tre ditët e fundit në këtë lagje.
Kur jemi te Kodra e Diellit, ende nuk është miratuar plani urbanistik për këtë hapsirë. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se i njëjti është dorëzuar në Ministrinë e Transportit për të marrë pëlqim. Megjithatë nga Ministria e Transportit theksuan se kanë disa vërejtje të cilat duhet të përmirësohen dhe që ende është duke u shqyrtuar.
Nga ana tjetër, më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’. Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane.
Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.