Tentim për dominim etnik në shtet multietnik

Shkruan: Ramadan Ramadani Lajmanaliza e radhës mund të duket pak më teorike e apstrakte andaj që në fillim do kërkojmë më tepër vëmendje për numrat dhe shkronjat. Që të jemi më të qartë për një nga paqartësitë më të mëdha që mendojmë se e ndjekin këtë shtet e që është prej shkaqeve kryesore se pse […]

shkurt 18, 2025 - 15:00
 0  6
Tentim për dominim etnik në shtet multietnik

Shkruan: Ramadan Ramadani

Lajmanaliza e radhës mund të duket pak më teorike e apstrakte andaj që në fillim do kërkojmë më tepër vëmendje për numrat dhe shkronjat. Që të jemi më të qartë për një nga paqartësitë më të mëdha që mendojmë se e ndjekin këtë shtet e që është prej shkaqeve kryesore se pse nuk bahet dhe nuk funksionon. Ashtu nëse analizojmë të tanishmen e këtij vendi dhe shohim të ardhmen, pa perspektivë, neve duhet patjetër të gjejmë se ku qëndron defekti, sëmundja dhe mungesa se pse nuk ec e livrit, as për punë e as për jetë, në këtë shtet, tani me emrin Maqedonia e Veriut. Sigurisht se një analizë e plotë dhe tërësishme për krejt këtë jofunksionalitet do ishte punë e madhe dhe më së paku një libër voluminoz e ne këtu nuk mundemi të bëjmë një kësi gjë të tillë, por edhe e dimë se nuk është kjo punë analizash, por është në fakt një çështje e madhe e politikës dhe udhëheqjes që ta gjeje se ku ka ngec dhe ta çoje përpara.

Një vështrim i shkurtër e madje i përciptë këtij shteti na shfaq simptome dhe sëmundje të ndryshme që duhen kuruar, shëndoshë e trajtuar. Ngecja e procesit më madhor zhvillimor dhe perspektivë; euro-integrimeve. Sistemi çoroditës i drejtësisë dhe kryesisht ndarja e padrejtësisë në saje të këtij gjyqësori e edhe mosfuksionimi i sistemit ekonomik dhe bile sundimi i tij nga ana e oligarkëve, partive dhe hajdutë tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë, sigurisht se janë probleme që vërehen që në shiqim të parë, bile si sëmundje dhe mungesa të mëdha për të pas këtu shtet të së drejtës dhe që i njëjti të mund të ec para e të zhvillohet. Por, çka nuk arrihet e tëra s’duhet lënë e tëra andaj ne veçojmë disa simptome që aludojnë për një problem, që e diagnozojmë. Shteti nuk është ordinancë, as ambulantë e as sanatorium, por vetëm po sjellim një shembull për një të sëmurë me probleme shëndetësorë të mëdha të një organizmi. Ka probleme me tensionin, zemrën, i dhemb shpina e ndoshta edhe i mungon krejt ndonjë organ ama kjo nuk domethënë se nuk do e trajtojmë ndonjërin problem që mund ta diagnostifikojmë e edhe nëse mundet me terapi ose ndërhyrje të vogël të njëjtën ta mënjanojmë dhe bile shërojmë. Pra në këtë she mbull ne po i trajtojmë ndonjë zorrë qore, ndonëse kemi përballë probleme tjera, të shumta e ndoshta edhe më vendimtare.  E kjo zora qorre nga shembulli është edhe tema e kësaj analize që e emërtuam: tentim për dominim etnik në shtet multietnik.

Se kjo është tentim i vazhdueshëm dhe janë simptome rregullisht të shfaqura e di secili që ndjek opinionin në këtë vend dhe e vëren se asnjëherë ky shtet nuk karakterizohet nga gati askush në gjuhë maqedone atë që është në të vërtetë; shtet multietnik. Pra mund të dëgjohen e lexohen shprehje për shoqëri multietnike, mulktikulturalizëm, kultura edhe të tjerëve, se diku diku edhe gjuhë tjera fliten dhe mësohen. Ama shteti, kombi në këto fjali gati gjithnjë janë në njëjës; njëkombëtare. Për të sjellë një shembull të freskët për këtë tentim dominim do sjellim një titull të një lajmi të rregullt nëpër media në gjuhë maqedonase. Lajme të rëndomta ku tregohen të dhëna zyrtare nga Bullgaria për atë se sa qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë shtetësi bullgare. Pra një lajm ky i rëndomtë me të dhëna zyrtare, i cili jepet çdo vit. Por, i njëjti lajm bile edhe në mediat më profesionale dhe sipas krejt standarteve gazetareske, e bile edhe në filialet e mediave ndërkombëtare që kanë version në gjuhë maqedone jepet gjithmonë me të njëjtin titull: Shtetësinë bullgare e morën kaq e kaq maqedonas?!

Për të kuptuar se çka është gabim në një kësi titull dhe si ajo për neve nuk është titull, por simptom, mjafton të lexohet lajmi më poshtë dhe të kuptohet se në fakt aty flitet për numrin e qytetarëve të Maqedonisë që atë vit përkatës kanë marrë shtetësi dhe pasaportë bullgare. Tash ne krejt mund të dimë se të vërtetën se Bullgaria nuk ju jep shtetësi përpos atyre që vetidentifikohen si maqedonas dhe vetdeklarohen si bullgarë; se aspak nuk ju jep shtetasve tjerë të Maqedonisë; shqiptarë, turq ose boshnjakë e bile shumë zor edhe atyre rom, vlleh ose serb, por ama prap ky titull është i gabuar. Sipas krejt standarteve gazetareske e edhe sipas të vërtetës. Ndoshta më i saktë do ishte titulli: “Bullgaria u jep shtetësi bullgarëve të Maqedonisë”, për këtë lajmin se ju jepet shtetësi bullgare qytetarëve të Maqedonisë së Veriut?!

Kjo është vetëm një nga shembujt e shumtë, që përsëriten gati për ditë, se sa thellë është kjo tendencë për dominim etnik në këtë shtet multietnik.  Në vijim do tregojmë disa fakte të thjeshta se pse kjo mbetet vetëm tentim dhe orvatje dhe e njëjta asnjëherë nuk mund të kryhet as si proces e as të bëhet realitet faktik. E këto fakte janë numrat bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve të këtij shteti. Ku këtu kemi të bëjmë me një mezi shumicë prej 53% etnike e deri në 60% gjuhësore dhe fetare. Pra me asnjë parametër nuk bëhet fjalë për ndonjë shumicë dominante. Dmth edhe nëse nuk do ishim të tjerët, gati shumicë prej 47%,, kryesisht shqiptarë, autokton dhe pandarshëm në teritore edhe historikisht edhe aktualisht me shqiptarët në shtete tjera; këto prap nuk do ishin shumicë dominante që të mund të dominojnë.  Këto numra bazë tregojnë se nuk është çështja se çka janë ato tjerët që nuk janë shumicë, por se në fakt shumica nuk është shumicë dhe nuk mundet të bën vet, atë që do me këtë shtet. As edhe në raste kur e din se çka don të bën. Pra këto paraqiten të luajn futboll të madh në fushë të madhe, por ama me numër të lojtarëve për futsall, futboll të vogël. Pra për njëmbëdhjetëshen si kusht të ekipit të futbollit këto shkojnë me 4+1, me ekip me pesë lojtarë.

Fakt tjetër është se pjesa tjetër e mbetur  e shumicës, prej gati gjysëm, është edhe sipas numrave të regjistrimit zyrtar të fundit më shumë se 30% shqiptarë. Pra një shumicë kompakte në gjysmën tjetër të mbetur. Pra në atë 47% nuk kemi të bëjmë me ndarje prej edhe pesë hiseve tjera të përkatësive, lartë poshtë të njëjta, por kemi më shumë se një të tretë kompakte të numrit të përgjithshëm dhe më shumë se dy të tretat e pjesës e gjysmës tjetër, pra prej këtij 47%.

Nuk përgjan shteti me shtet ama për të kuptuar se pse nuk mund dominimi asnjëherë të bëhet realitet mjafton të krahasohen shqiptarët e këtuhit me ato serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe me këtë liderin tani rishtazi të mirëpritur të asaj botës serbe, Milorad Dodik?! Vetëm për një çast të paramendojmë të ishin sjellë shqiptarët politikisht si ky ose të kishin patur një lider që fol si ky në opinion. Ndonjë që për gjithëditë do i kishte sëmurë me fjalë, llafe, tendenca dhe iniciativa politike deri edhe për ndarje, botë shqiptare, bashkim me shtet amë. Atëherë shumica e vetshpallur e opinionit jo që do e kishte trajtuar shtetin ambulantë për shërim, por bile do ishte bërë spital për shërim dhe sanatorium për trajtim! E në rastin tonë  jo që nuk u vjen nëpër mend ky krahasim, por bile këtu ndodh e kundërta: këto të nëjtit e mirëpresin mu atë të njëjtin Dodik dhe ai gojëplot propozon që kjo mbledhje e “botës serbe” për çdo vit të mbahet në Shkupin e sipas tij: Car Dushanit. Dhe ende më e rëndë këto nuk e evidentojnë këtë gjë as si krim dhe as shënim. Pra këtu pati zëra dhe distancime se pse ky ka mohuar gjenocidin e Srebrenicës, se ka folë pro agresionit rus në Ukrainë dhe kundër NATO dhe BE-së dhe shkarjet tjera ama askush nuk e evidentoi se në fakt ky bëri edhe bashkangjitje të Maqedonisë “botës serbe” duke propozuar që këto mbledhje dhe defilime për secilin vit të mbahen mu këtu: në Shkupin e Dardanisë.

E zgjatëm shumë muhabetin për këtë torrollak nga lista e zezë amerikane dhe sankcionet europiane, por vetëm për sa ta paramendojmë nëse e njëjta do ishte thënë nga ndonjë përfaqësues shqiptar nga Kosova ose Shqipëria, ose ta krahasojmë me deklarata të ngjajshme, por shumëfish më të buta nga Bullgaria, Turqia ose Greqia?! Deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do kishte shkuar ankimi, piskama dhe puna!

Fakt tjetër që e bën këtë dominim të mbetet vetëm orvatje dhe tentim është se kushtetuta e këtij shteti ka ndryshuar pakthyeshëm me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe përveç se bashkësitë etnike tjera janë tani të cekura në preambulën e kushtetutës, në këtë shtet më nuk ka vetëm një gjuhë zyrtare. Saga me ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës është ende një udhëtim i papërfunduar, që e dini se prej Komisionit të Venedikut ka ardhë në gjykatën Kushtetuese, por ama asgjë nuk e ndryshon më faktin se me këtë kushtetutë nuk është më vetëm një gjuhë zyrtare në këtë shtet.

Dmth zyrtare dhe kushtetuese është edhe gjuha dhe alfabeti i gjuhës që e flasin më së paku 20% të qytetarëve, që duhet veçmas të trajtohet me një ligj dhe mandej edhe përdorimi i gjuhëve tjera në komuna ku një popullatë përbën më shumë se 20%. Pra sipas kësaj kushtetute ka tre nivele të përdorimit zyrtar të gjuhëve. Të gjuhës maqedone, asaj 20%, pra gjuhës shqipe dhe përdorimit edhe të gjuhëve tjera nëpër komuna.

Asnjëherë vetëm dy nivele, një gjuhë zyrtare dhe të tjera. Ndonëse për këto ende nuk janë sjellë krejt ligjet dhe kjo më së miri do kuptohet në rastet kur do ket tentativa për sjelljen e ligjit për gjuhë zyrtare shtetërore e do duhet të definohet atëherë gjuha e parë zyrtare, nesë do ket ashtu një gjë të tillë. Detajet për këtë do i sjellin juristët dhe ligjëvënësit, por shumë është e rëndësishme të mbahet mend se përdorimi zyrtar i gjuhëve sipas kësaj kushtetute tani është tre nivelësh dhe duhet insistuar në këtë. Kur të sjellet një ligj për përdorimin e gjuhës maqedone do duhet të sjellet një tjetër ligj për përdorimin e gjuhës së 20% dhe mandej një të tretë për përdorimin e gjuhëve në komuna ku ka të tjerë që përbëjnë më shumë se 20%. Unë vet nuk jam jurist dhe nu k pretendoj se kam ekspertizë për këto ligje të pasjellura, por ama e di se Maqedonia e Veriut është shtet unitar dhe me këtë kushtetutë edhe e drejta për arsim në gjuhë amtare dhe kulturë për popullatën me më shumë se 20% duhet gjithkund të respektohet në nivel kombëtar. Pra edhe në ato komuna ku mund të ket edhe vetëm një shqiptar. Pra flasim edhe për Berovë dhe Strumicë dhe jo vetëm për Çashkë dhe Manastir.

Krejt këto tregojnë se nuk është i mundshëm asnjë dominim etnik në këtë shtet multietnik dhe se kjo nuk është e mundshme as në aspektin gjuhësor. Pra ky shtet në nivel kombëtar sipas kushtetutës nuk ka vetëm një gjuhë zyrtare dhe edhe tentativat për vetëm një gjuhë zyrtare do mbeten gjithnjë vetëm orvatje dhe tentim. Por, pasi u zgjat shumë ky spjegim javën tjetër do mundohemi të tregojmë se prej kur është shfaqur ky simptom e tentim dhe kush krejt i ka fajet. Sigurisht se shqiptarët, pas një jave i tregojmë detajet! Mirupafshim!