Tetovë, ende nuk është bërë rregullimi i stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve për rekreacion deri te Kalaja dhe Banja

Rregullimi i stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve të reja për rekreacion nga qyteti deri te Kalaja dhe Banja e Tetovës, edhe pse premtime të Komunës së Tetovës, në terren nuk janë realizuar ende. Komuna e Tetovës thotë se do të bëhen gjatë këtij viti, shkruan Portalb.mk. Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ […]

Prill 17, 2024 - 13:00
 0  3
Tetovë, ende nuk është bërë rregullimi i stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve për rekreacion deri te Kalaja dhe Banja
Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rregullimi i stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve të reja për rekreacion nga qyteti deri te Kalaja dhe Banja e Tetovës, edhe pse premtime të Komunës së Tetovës, në terren nuk janë realizuar ende. Komuna e Tetovës thotë se do të bëhen gjatë këtij viti, shkruan Portalb.mk.

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmenden edhe stazat natyrore dhe shtigjet e reja për rekreacion.

Te pjesa e rinisë dhe sportit, konkretisht në faqe 17 të programit thuhet:

“Rregullimin e stazave natyrore dhe hapjen e shtigjeve të reja nga qyteti deri te Kalaja dhe Banja e Tetovës me qëllim që të kthehet në qendër rekreacioni e xhogingu për këmbësorët, për biçikletistët dhe adhuruesit e natyrës.”

Por, dy vite e gjysmë më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.

Të pyetur për këtë nga Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës thonë se të njëjtat janë në procedurë dhe se pritet të realizohen gjatë këtij viti.

“Ju informojë se për të dy shtigjet kemi projekte për leje, pas përfundimit të punëve administrative të njëjtat janë të planifikuara për realizim në programën e vitit 2024”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë që pavarësisht frekuentimit të madh të qytetarëve, Banja e Tetovës dhe Kalaja janë të lëna pas dore nga ana e institucioneve duke mos u investuar në këto pika rekreacioni si ndër të vetmet në qytet.