VLEN paraqiti padi penale kundër Bogojeskit për përhapje të gjuhës së urrejtjes, ai ngriti kundërpadi
Koalicioni “VLEN” ka bërë kallëzim penal për përhapje të gjuhës së urrejtjes përmes rrjeteve sociale kundër liderit të Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski. Kallëzimin penal e ka bërë avokati Abidin Abduli, transmeton Portalb.mk. “Sot kemi bërë kallëzim penal kundër personit Petar Bogojeski për përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Facebook, me gjuhën e tillë […]
Koalicioni “VLEN” ka bërë kallëzim penal për përhapje të gjuhës së urrejtjes përmes rrjeteve sociale kundër liderit të Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski. Kallëzimin penal e ka bërë avokati Abidin Abduli, transmeton Portalb.mk.
“Sot kemi bërë kallëzim penal kundër personit Petar Bogojeski për përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Facebook, me gjuhën e tillë të urrejtjes duke kryer vepër penale të dënueshme sipas nenit 319 dhe 398 të Kodit Penal. Ne inkurajojmë Prokurorinë Publike që në të ardhmen t’i ndjekë këto krime sipas detyrës zyrtare sepse ato janë publike dhe jepen në çdo media, në rrjetet sociale”, tha Abduli.
Nga ana tjetër edhe Koncepti Maqedonas i Petar Bogojeskit, sot në Prokurorinë Themelore Publike ka paraqitur kallëzim penal për, siç tha ai, disa vepra inkriminuese ndaj politikanëve shqiptarë.
“Kallëzimi penal është për disa vepra inkriminuese – përdorimi i paligjshëm i gjuhës shqipe, fyerje dhe përçmim të popullit maqedonas dhe Maqedonisë, krijimi i atmosferës për linçim të personit Petar Bogojeski – Koncepti maqedonas, përhapja e urrejtjes etnike dhe fetare, shpërdorimi i PTHP-së dhe fshehja e akteve të tilla, promovimi i revizionizmit historik, promovimi i neo-nazizmit. Ne ngremë zërin në emër të të gjithë maqedonasve të pafavorizuar dhe të gjithë qytetarëve të ndershëm maqedonas kundër dhunës së ushtruar ndaj nesh nga shovinistët shqiptarë, pavarësisht se cilës parti i përkasin. Koncepti maqedonas është parti e popullit dhe përfaqëson interesat e popullit. Ne jemi viktima dhe nuk mund të paguajmë më për ngritjen e fuqisë së kombeve dhe shteteve të tjera. Të gjitha pakicat etnike keqtrajtohen në zonat ku jeton shumica etnike shqiptare”, tha ai.
Shkrimet e fundit në rrjetet sociale të kryetarit të “Konceptit maqedonas”, Petar Bogojeski, kanë shkaktuar reagime në opinion. Së fundmi ai, ai ka kërkuar shpjegim, se pse ofendohen shqiptarët nëse thirren shiptar:
AJDE DIKUSH TË SHPJEGOJË?!?
Është njësoj sikur të ofendohem nëse dikush më thotë maqedonas, në gjuhën maqedonase!
Epo njesoj eshte kur thua Shqiptar ne shqip!
A ka dikush një shpjegim për këtë fenomen, i cili nuk ekziston askund tjetër në botë?!?