Berisha ‘porosi’ drejtuesve politikë: Dokumentoni grabitjen e votës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi në seli drejtuesit politikë të qarqeve pas humbjes në zgjedhjet e 11 Majit. Ai theksoi se në zgjedhje “u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim”. Ai u bëri […]

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi në seli drejtuesit politikë të qarqeve pas humbjes në zgjedhjet e 11 Majit.
Ai theksoi se në zgjedhje “u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim”.
Ai u bëri me dije detyrën kryesore drejtuesve politikë që është faktimi i “të gjithë universin kriminal”. Berisha kërkoi që të dokumentohen ndërhyrjet kriminale nëpër qarqe. Sipas tij, demokratët nisin një betejë që do ta fitojnë.
“Diktatorët ngjasojnë njëri me tjetrin. Pra nuk ka detyrë, mbi çdo detyrë tjetër është dokumentimi me vërtetësi dhe dokumente të plota. Ne nisim një betejë të cilën ne do ta fitojmë. Do ta fitojmë sepse së pari këto krime madhore elektorale janë krime të paralajmëruara dhe denoncuara në rezoluta të fuqishme ndërkombëtare”, tha Berisha.
Ai akuzoi Ramën se grabitjen e zgjedhjeve e bëri publikisht me vendime qeverie.
“Regjimi që grabiti zgjedhjet e 2025 nuk e bëri këtë fshehtas. Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie. Pra ai shpërndau dhuratë për votë, 70 milionë Euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48% të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë, me e paprecedentë. Cilido që përpiqet të na bindë, apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një mega-krim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta. Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e Kodit Zgjedhor dhe krimit elektoral”, tha Berisha.
Akuza hodhi edhe se u përdorën bandat kriminale.
“Në këto zgjedhje bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë. Këto banda kanë vepruar në 10 qarqe të vendit me detyrën për të sjellë në parlament 30 kandidatë të PS. ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar. Bandat aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptaz në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat, në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera. Gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve, pa asnjë lloj kufizimi”, tha Berisha.