EDITORIAL: Qytetari shqiptar ka nevojë për përgjegjësi, jo për retorikë boshe
Nga: Redaksia Flaka Polemikat e fundit ndërmjet Izet Mexhitit dhe Nazim Taipit kanë dalë përtej përmasës personale – ato janë simptomë e një krize më të thellë politike që ka The post EDITORIAL: Qytetari shqiptar ka nevojë për përgjegjësi, jo për retorikë boshe appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Nga: Redaksia Flaka
Polemikat e fundit ndërmjet Izet Mexhitit dhe Nazim Taipit kanë dalë përtej përmasës personale – ato janë simptomë e një krize më të thellë politike që ka përfshirë kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në qendër: rruga Tetovë–Prizren dhe Korridori 8, dy projekte me simbolikë dhe rëndësi të madhe, por që për momentin janë kthyer në gur sherri mes ish-partnerëve politikë.
Nuk është e largët koha kur Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët ishin së bashku në koalicionin opozitar VLEN, duke u paraqitur si alternativë përfaqësuese e shqiptarëve kundrejt BDI-së. Por rruga e përbashkët nuk zgjati shumë. ASH zgjodhi të bëhet pjesë e Qeverisë, duke hyrë në ekzekutiv, dhe më pas – në një kthesë të beftë – sapo ka njoftuar largimin nga Qeveria dhe nga vetë koalicioni VLEN, duke shkaktuar një tronditje politike në VLEN-in qeveritar.
Ndërkohë, Lëvizja Demokratike ka mbetur pjesë e Qeverisë teknike dhe ruan qëndrimin e saj institucional, por kjo nuk e ka penguar liderin e saj, Izet Mexhiti, të reagojë ashpër ndaj deklaratave të Nazim Taipit, zëvendësdrejtor në largim nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”. Mexhiti akuzoi Taipin për pasivitet dhe për “braktisje të rrugës së Arben Xhaferit”, ndërsa Taipi e ktheu ironikisht përgjigjen: “Trefishi i tij i shumëzuar me zero është baraz me asgjë”.
Ky debat përbën një pasqyrë të qartë të realitetit politik shqiptar në vend: pa strategji të përbashkët, pa koordinim dhe me përçarje të brendshme që vetëm sa e zbehin zërin kolektiv të shqiptarëve përballë VMRO-DPMNE-së nacionaliste.
Korridori 8 dhe rruga Tetovë–Prizren nuk janë thjesht projekte infrastrukturore. Ato janë simbol i vizionit për integrim ekonomik, bashkim kombëtar dhe zhvillim rajonal. Por kur projektet kthehen në arsye për përplasje, e jo bashkëpunim, atëherë këto rrugë nuk dërgojnë askund.
Qytetari shqiptar ka nevojë për zgjidhje, jo për replika politike. Për përgjegjësi, jo për retorikë boshe. Dhe mbi të gjitha, për përfaqësues që dinë të qëndrojnë të bashkuar në interesin e përbashkët – jo të ndahen për interesa momentale.
The post EDITORIAL: Qytetari shqiptar ka nevojë për përgjegjësi, jo për retorikë boshe appeared first on Flaka, në çdo lajm... .