Gashi dhe Kurtullmush theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe botë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot ka pritur kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Numan Kurtullmush, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend së bashku me një grup deputetësh, njofton Portalb.mk. Siç informojnë nga Kuvendi, në takim kanë marrë pjesë edhe deputetët Bejxhan Iljas, kryetar […]
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot ka pritur kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Numan Kurtullmush, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend së bashku me një grup deputetësh, njofton Portalb.mk.
Siç informojnë nga Kuvendi, në takim kanë marrë pjesë edhe deputetët Bejxhan Iljas, kryetar i Grupit të deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë, Nikolla Micevski, Fatmir Bytyqi, Mevmed Xhaferi dhe Merita Kollçi Koxhaxhiku, anëtarë të grupit, si dhes Sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.
Gashi ka shprehur kënaqësinë për realizimin e vizitës së ndërsjellë nga kryeparlamentari Numan Kurtullmush, e cila përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend. Ai ka theksuar se komuniteti turk është një pjesë konstruktive e strukturës shoqërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një faktor i rëndësishëm për bashkëjetesën në vend.
Kryetari i Kuvendit ka potencuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi reciprok është dinamik në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivel parlamentar. Ai ka shprehur bindjen se takimet midis deputetëve të dy kuvendeve mund të kontribuojnë shumë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë.
Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia dhe theksoi se Turqia ishte një nga vendet e para që e njohu shtetin tonë dhe hapi ambasadën dhe caktoi ambasador në Shkup.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjithashtu është përqëndruar në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vazhdon të investojë në ekonominë tonë.
Kurtullmush ka shprehur kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se të dy vendet i lidh një miqësi historike dhe e thellë. Ai shprehu kënaqësi që prania e kryetarëve të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë në shënimin e 21 Dhjetorit në vend tashmë po bëhet një traditë.
Kurtullmush ka theksuar se Republika e Turqisë e mbështet fuqishëm integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson që të dy vendet së bashku do ta përfundojnë këtë proces.
Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, Kurtullmush shprehu kënaqësinë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe praninë e kompanive turke në vend, veçanërisht në projektet infrastrukturore.
Gashi dhe Kurtullmush kanë potencuar se vlerësojnë lart bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të NATO-s dhe pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqeruajtëse, si dhe bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak dhe donacionet e pajisjeve për nevojat e ushtrisë sonë. Ata shprehën kënaqësinë edhe për aktivitetet e Agjencisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit të Republikës së Turqisë – TIKA, Fondacionit “Maarif” dhe Institutit “Yunus Emre” në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit janë përqëndruar në nevojën për rishikimin dhe përmirësimin e marrëveshjes bilaterale “Për tregtinë e lirë” ndërmjet dy vendeve, në drejtim të liberalizimit më të madh të produkteve tregtare. Po ashtu, ata kanë theksuar se ekzistojnë mundësi të mëdha për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok në fushën e kulturës, arsimit, turizmit dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.
Kryetarët e dy kuvendeve kanë këmbyer mendime për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë dhe kanë theksuar nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.
Në fund të takimit, Gashi dhe Kurtullmush kanë shprehur bindjen se partneriteti shumëvjeçar midis dy shteteve dhe tendenca pozitive në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit do të vazhdojnë të avancohen edhe më tutje.