Gjyqësori i RMV-së në 2024: Keq e më keq, politikanët dënohen nga ndërkombëtarët por jo gjykatat
Viti 2024 e gjeti gjyqësorin në Maqedoni në gjendje shumë të keqe dhe të zhytur në humnerë. Këshili Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve janë në prag të kolapsit dhe partizimit, funksionarët më shumë dënohen nga ndërkombëtarët se sa gjykatat e vendit ndërsa ndërrimi i qeverisë sikur iu ‘dha zemër’ prokurorëve t’i nxjerrin nga sirtaret disa […]
Viti 2024 e gjeti gjyqësorin në Maqedoni në gjendje shumë të keqe dhe të zhytur në humnerë. Këshili Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve janë në prag të kolapsit dhe partizimit, funksionarët më shumë dënohen nga ndërkombëtarët se sa gjykatat e vendit ndërsa ndërrimi i qeverisë sikur iu ‘dha zemër’ prokurorëve t’i nxjerrin nga sirtaret disa lëndë për ish-funksionarët e BDI-së dhe LSDM-së, shkruan Portalb.mk.
Këshilli Gjyqësor: Nga keq, më keq
Muaji i parë i vitit dha një shpresë të rreme për përmirësime në Këshillin Gjyqësor. Rikthimi i Vesna Damevës në krye të këtij institucioni pasi ishte shkarkuar kundërligjshëm u përshëndet nga qytetarët dhe ndërkombëtarët.
Madje, asokohe, ambasadori hollandez në vend, Dirk Jan Kop deklaroi se pas këtij gjesti ky institucion përsëri mund të llogarisë në përkrahjen e Holandës pasi më herët kishte njoftuar se s’do e përkrahin më këtë për shkak të funksionimit të keq.
Për të ndihmuar këtë proces, në Maqedoni zbarkoi një ekip ekspertësh ndërkombëtarë, të njohur si misioni vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor. Ata e thanë troç: Ky institucion s’mund t’i mbrojë as gjykatësit, as veten.
Amanet lanë një dokument 33 faqe, me 40 rekomandime. Sot, pjesa më e madhe e rekomandimeve s’janë përmbushur fare ndërsa institucioni është pa drejtues pasi Dameva iki për shkak, siç tha ajo, ‘presionit politik’, anëtarët e ngarkuar nga Kuvendi po shkarkohen kurse politikanët bëjnë plane për reformim të tërësishëm të këtij këshilli.
Por përderisa partitë në pushtet po ‘gatuajnë’ reformat në Këshillin Gjyqësor, ai vazhdon të mbushet me njerëz të afërm me VMRO-në. Për shembull, para pak ditësh bashkëshortja e një kryetari të komunës që udhëheq VMRO-ja, Danka Ristova, u zgjodh anëtare.
Kujtojmë gjithashtu që përkundër që ishte konstatuar se gjykatësi tashmë non-grata Enver Bexheti kishte mbajtur në sirtar deri në vjetrim lëndën për Sasho Mijalkov, Këshilli Gjyqësor i kishte dhënë atij një ndëshkim qesharak, me heqje të ca parave nga paka mujore.
Këshilli i Prokurorëve Publik: Anëtari i korruptuar zëvendësohet me një anëtar partie
Me më pak zhurmë, por gjithsesi me shumë skandale e nisi dhe përmbylli 2024-tën edhe Këshilli i Prokurorëve Publik. Për herë të parë një anëtarë i këtij institucioni, që duhet të garantojë drejtësi, kapet duke bërë pazare.
Ixhet Memeti kishte premtuar rrejshëm se do të ndikonte dhe do t’i jepte lehtësime ish-kryetarit të Novosellës, Boro Stojçev, në rastin e kontrabandës së marijuanës. Ai e pranoi veprën, u dorëhoq nga këshilli dhe u dënua me 1 vit dënim me kusht.
Ekspertët e vlerësuan si skandaloz faktin që Ixhet Memeti, i cili gjithashtu kishte qenë Avokat i Popullit i propozuar nga BDI-ja, kishte marrë dënim aq të ulët. Kjo ndikoi në uljen e besimit, edhe ashtu të vogël të qytetarëve në gjyqësor.
Por që skandali të thellohet më shumë, Ixhet Memeti u zëvendësua nga bashkëpartiaku i Izet Mexhitit, Ardian Demiri. Ky i fundit është funksionar partiak i VLEN-it ndërsa Izet Mexhiti s’e kishte fshehur fare këtë dhe kishte publikuar foto me të në rrjetet-sociale.
Ardian Demiri u votua me shumicë votash në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Prokuroria s’i ka punët mirë as me ekipim, sipas një analize, mesatarisht, në vit, çdo prokuror publik ka punuar në rreth 180 lëndë të reja.
Gjykata Kushtetuese mori perceptimin e ‘realizuesit’ të programit të VMRO-së
Gjykata Kushtetuese vetëm disa muaj pasi me shtetin filloi të udhëheqë partia që publikisht ishte shprehur (edhe në program parazgjedhor) kundër balancuesit, VMRO-ja, e vendosi në rend të ditës dhe shfuqizoi instrumentin që ka balancuar përfaqësimin etnik në administratën shtetërore.
Sikletin më të madh kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski dukshëm e kishte te përceptimi i masës se ky vendim është marrë në koordinim me politikën, andaj pjesën më të madhe të konferencës për shtyp ai e harxhoi duke tentuar t’i bindë gazetarët se ky vendim nuk ka qenë i ndikuar. Pak kush e besoi.
Me ardhjen e VMRO-së në pushtet, Gjykata Kushtetuese gjithashtu ‘mori zemër’ që të nxjerrë nga sirtari edhe një prej lëndëve më të vjetra të kësaj gjykate, ku palë është edhe partia në pushtet, VMRO-ja, atë të ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Më 11 dhjetor, nën zhurmat e protestës që vinte nga Fronti Evropian, kjo gjykatë vendosi që të mos vendosë për fatin e këtij ligji në atë seancë, por të caktojë një seancë përgatitore ku do të merrej mendimi i ekspertëve në lidhje me atë se çfarë duhet bërë.
‘Sekret publik’ hajnia e disa politikanëve, por pak ose aspak u dënuan këtë vit
Ky vit filloi me vjetërsimin e lëndës gjyqësore “i fuqishmi” ku i akuzuar për veprën penale “mashtrim” mes tjerëve është edhe Antonio Milloshovski nga VMRO-ja. Vjetërsimit i kishin ndihmuar ndryshiet skandaloze në Kodin Penal.
Viti 2024 gjithashtu shënoi përfundimin e dhjetëra proceseve gjyqësore kundër ish shefit të policisë sekrete Sasho Mijalkov, ai u shpall i pafajshëm në lëndën “Thesari” ku akuzohej për porositje të kundërligjshme pajisjeve për përgjim për Ministrinë për Punë të Brendshme.
Akuza me bollëk, por assesi të dënohet edhe kryetari i komunës së Strugës, Ramis Merko. Ai para pak ditësh pranoi akuzën e 13-të për kryerje të gjithsej 20 veprave penale. Me propozim të prokurorisë, Merkos iu konfiskua pasaporta dhe aktualisht ndodhet nën masën e kujdesit.
Pak ditë pasi u përfshi në listën e zezë amerikane, prokuroria ngriti akuzë kundër ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi për keqpërdorime në Llotarinë Shtetërore. Ai aktualisht ndodhet në arrati derisa kundër tij është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Familjarë të afërm të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu kanë qenë shumë të përfolur këtë vit për potencialisht pasurim të kundërligjshëm. Për shembull, nipi i Ahmetit, Drin Ahmeti në të 20-tat e tij arriti që të bëhet pronar i qendrës tregtare “Soravia” në Shkup. Prokuroria e vendit në nëntor ka kërkuar ndihmë nga ShBA-ja për t’i hetuar disa prej transaksioneve të tij.
Ditët e fundit dukshëm është vendosur në lëvizje prokuroria e vendit. Akuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare ka edhe ndaj ish-drejtorëve të EMV-së, Adrian Muça dhe Vasko Kovaçevski, ish-drejtorëve të Qendrës për Kulturë në Tetovë, Haki Fazliu dhe Artan Arsllani.
Statusin “shtet hibrid” s’e humbëm: Plot kritika për gjyqësorin, në çdo raport
Maqedonia arrriti të ‘ruajë’ statustin e regjimit hibrid edhe në raportin e fundit të Freedom House. Përpos që kemmi rënie të ndjeshme në çdo sektor, në këtë raport thuhet se Maqedonia ‘i është dorëzuar korrupsionit të lartë’.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian gjithashtu pati kritika të ashpra për Maqedoninë në sferën e gjyqësorit. Aty mes tjerash thuhet se pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten shqetësim serioz.
Niveli i pavarësisë së perceptuar të gjyqësorit është shumë i ulët, thekson raporti. Shqetësime mbeten edhe për funksionimin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, ndërkohë që janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Vendimet për emërimin e prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve janë kritikuar nga shoqëria civile se nuk janë të motivuara në mënyrë gjithëpërfshirëse apo të bazuara në kritere objektive.
Sipas hulumtimeve të fundit mbi opinionit publik, besimi në gjyqësor është ulur në 2 për qind, që është në nivelin më të ulët që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.