ANALIZË: Pritjet për vitin ekonomik 2025 në Maqedoninë e Veriut
Rritje ekonomike prej 3,7%, rritja e pensioneve për 2.500 denarë, luftë kundër ekonomisë gri pa ndryshime në politikën tatimore. Komunat do të fillojnë t’i shpenzojnë paratë e kredisë hungareze, shteti do t’i kthejë borxhet e prapambetura prej qindra milionë eurosh. Edhe viti 2025 do të jetë një vit zgjedhor – partitë do t’i matin forcat […]
Rritje ekonomike prej 3,7%, rritja e pensioneve për 2.500 denarë, luftë kundër ekonomisë gri pa ndryshime në politikën tatimore. Komunat do të fillojnë t’i shpenzojnë paratë e kredisë hungareze, shteti do t’i kthejë borxhet e prapambetura prej qindra milionë eurosh. Edhe viti 2025 do të jetë një vit zgjedhor – partitë do t’i matin forcat në nivel lokal, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Rritje e PBB-së, rroga më të larta, 250 milionë euro “parazgjedhore” për komunat…
Sipas parashikimeve të përcaktuara në buxhetin e ri, viti 2025 do të jetë një vit i mirë për ekonominë – PBB-ja do të rritet për 3,7%, ndërsa investimet bruto për 8,1%. Në vitin 2025, sipas analizave të qeverisë, pritet një përmirësim i mjedisit të jashtëm dhe një rritje e kërkesës së jashtme.
“Sipas njoftimeve nga investitorët e huaj, pritet rritje e kapaciteteve të kompanive ekzistuese në zonat zhvillimore, kurse qeveria do të vazhdojë me aktivitetet për tërheqjen e investimeve të reja të huaja. E gjithë kjo do të kontribuojë që eksportet të kalojnë në zonën pozitive dhe të arrijnë në 4,2% në vitin 2025. Njëkohësisht rritja e investimeve dhe rritja e kërkesës së brendshme do të ndikojnë në rritjen e importit, rritja e të cilit në vitin 2025 parashikohet në 4,4%”, thuhet në buxhetin për vitin 2025.
Megjithatë, analistët përkujtojnë se vatrat e luftës në lindje jo vetëm që nuk janë “shuar”, por edhe po përshkallëzohen në zona të caktuara dhe se ende ekziston rreziku për rritje të reja të çmimeve. Përveç kësaj, Evropa pret të shohë nëse administrata e Presidentit Trump do të ndryshojë politikën doganore, e cila do të kishte pasoja të rënda ekonomike në tregtinë globale.
“Rezultatet me të cilat do ta mbyllim këtë vit nuk japin shumë hapësirë për të qenë optimistë për vitin e ardhshëm, 2025. Inflacioni u rrit sërish në nëntor, borxhi publik do ta kalojë ndjeshëm kufirin prej 60 për qind të PBB-së, rritja ekonomike është më se modeste, megjithëse në tremujorin e tretë shifrat ishin solide. Ky konstatim mbështetet edhe nga zhvillimi i situatës në vatrat e krizës (që ka edhe efekte ekonomike globale), situata në partnerin tonë më të rëndësishëm tregtar, Gjermani, por edhe njoftimet për vendosjen e detyrimeve doganore për vendet evropiane nga ana e administratës së re amerikane, e cila indirekt do të ndikojë edhe tek kompanitë eksportuese maqedonase”, thotë gazetari-kolumnist, Mirçe Jovanovski.
Administratë efikase, zbatim i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit…
Viti 2025 do të jetë viti i parë i plotë për qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas prioriteteve të parashtruara, edhe në vitin e ri kalendarik në agjendë janë integrimet në BE, tranzicioni energjetik dhe lufta kundër ekonomisë gri.
Ja një pjesë të planit të pushtetit:
- Administratë publike profesionale dhe efikase,
- Integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian,
- Zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, forcimi i kohezionit multikulturor,
- Luftë fiskale kundër korrupsionit dhe krimit, pavarësi e gjyqësorit.
Sipas analistëve, duke pasur parasysh premtimet e mëdha zgjedhore, qytetarët do të presin rezultate jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në planin e brendshëm dhe të jashtëm politik.
“Qeverinë e pret shumë punë për të realizuar të paktën një pjesë të premtimeve të saj parazgjedhore. Këtu, si prioritete kryesore do t’i veçoja: rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë gri, të cilat sipas të gjitha analizave janë një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë edhe në rritjen ekonomike. Jo më pak të rëndësishme janë edhe reformat strukturore (nga të cilat, të paktën deri më tani, nuk kemi parë asgjë), ose, nëse asgjë tjetër, të paktën zbatimi në kohë i masave nga Plani i Rritjes Ekonomike, të cilat i propozuam vetë dhe u miratuan nga Komisioni Evropian, e që do të mundësojnë marrjen e mjeteve nga fondet evropiane në kuadër të planit për rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Jovanovski.
Viti 2025, ashtu si edhe viti 2024, do të jetë vit zgjedhor – partitë do të “përballen” në nivel lokal. Do të zgjidhen 80 kryetarë komunash dhe njeriu i parë i Qytetit të Shkupit. Në prag të zgjedhjeve, komunat tashmë do të shpenzojnë 250 milionë euro nga kredia hungareze – para që sipas analistëve padyshim që do të kenë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, e në fillim të vitit kompanitë duhet t’i marrin edhe kreditë e para, gjithashtu nga kredia hungareze, të cilat do t’i ndajnë bankat tregtare.