(Jo)cilësia e jetës shkak për rritjen e depresionit te të rinjtë në RMV
Njëzet e shtatë vjeçari Marko nga Shkupi pas kthimit në qytetin e lindjes pas përfundimit të studimeve jashtë vendit është përballur me depresion dhe ankth. Përballja me një mjedis në të cilin ka mungesë gjelbërimi, ku mbretëron kaosi urban, por edhe me një shoqëri me nivel të lartë të korrupsionit, ndikuan që ai të binte […]
Njëzet e shtatë vjeçari Marko nga Shkupi pas kthimit në qytetin e lindjes pas përfundimit të studimeve jashtë vendit është përballur me depresion dhe ankth. Përballja me një mjedis në të cilin ka mungesë gjelbërimi, ku mbretëron kaosi urban, por edhe me një shoqëri me nivel të lartë të korrupsionit, ndikuan që ai të binte në depresion dhe të ketë probleme me ndjenjën për vetërealizim, shkruan Eu.org.mk, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë studimeve në një qytet të vogël universitar në Evropën Perëndimore u mësova të lëviz kudo me biçikletë, të thith ajër të pastër dhe të plotësoj kohën e lirë me aktivitete të dobishme – sport, mbrëmje me lojëra shoqërore me kolegët, vizita në manifestime të ndryshme kulturore dhe të ngjashme. Kisha nota të shkëlqyera dhe ndjehesha i gatshëm të punësohem menjëherë pas diplomimit. Pas kthimit në Shkup e gjithë jeta ime u përmbys”, thotë Marko.
Korrupsioni të cilin ai e haste në çdo hap e shuante dëshirën e Markos për tu punësuar në një vend për të cilin ai i plotësote të gjitha kriteret, por ku në vend të tij u punësua një person me librezën e partisë.
“Dimrin e parë në shtëpi mu shfaq një kollë kronike si pasojë e ajrit të ndotur. Aktivitetet sportive në Shkup mu reduktuan në ecje deri në dyqan, ngjitje e zbritje nga trotuaret për shkak të makinave të parkuara kudo. Por, ajo që më goditi më shumë ishte se unë dhe miqtë e mi kishim gjithnjë e më pak tema për të folur – pirja e kafesë për dy orë në ditë në një “bar” dhe mbrëmjet e kaluara nëpër kafene për mua nuk ishin aktivitete të përshtatshme shoqërore të përditshme. E gjithë kjo më bëri të mbyllem në vetvete”, tregon Marko për përvojën e tij pas kthimit në Shkup nga studimet jashtë vendit.
Për momentin ai nuk është i punësuar dhe nuk e ka idenë se ku do kishte punuar. Ai thotë se ndihet i paplotësuar, por në të njëjtën kohë nuk mendon se është puna ajo që i jep qëllim në jetë.
“Cilësia e përditshmërisë time është ajo që është vendimtare për shëndetin tim mendor”, thotë Marko.
Marko është vetëm një nga historitë e shumta të të rinjve që përfshihen në statistikat e 64 përqind të të rinjve në vend që janë në depresion, gjë që flet për një gjendje alarmante të shëndetit mendor tek të rinjtë në Maqedoni.
Nga Këshilli Kombëtar Rinor, përveç përqindjes së depresionit tek të rinjtë, theksojnë se 58 përqind e të rinjve ndjejnë ankth, ndërsa 55 përqind përjetojnë stres. Rreth 56 përqind e të rinjve në Maqedoni luftojnë me mendime vetëvrasëse. Hulumtimi i KKRM-së u publikua në fillim të këtij viti.
Sipas Markos, që cilësia e jetës së tyre të jetë në një nivel të kënaqshëm dhe në këtë mënyrë të ndihen të qëndrueshëm mendërisht, për të rinjtë janë të rëndësishëm shumë faktorë – nga shëndetësia cilësore, qyteti i rregulluar dhe i pastër, e deri tek paga dinjitoze për punën e tyre. Fatkeqësisht, vlerëson Marko, shumë nga këta faktorë në Maqedoni neglizhohen, madje edhe harrohen.
Rritje e sjelljeve destruktive në mesin e të rinjve në RMV
Në të njëjtën kohë psikologët janë të mendimit se institucionet në Maqedoni nuk janë të gatshme të investojnë në programe të dedikuara për shëndetin mendor, aq më pak kur bëhet fjalë për personat me zhvillim jotipik. Jo më pak shqetësues për ta është komunikimi ndërpersonal, për të cilin thonë se është në nivel të ulët, si dhe rritja e sjelljeve destruktive të rënda.
Për Irena Nikollovska Ristanovska, psikologe nga Manastiri, frustrimi nga nevojat themelore të paplotësuara si vetë-realizimi, llojet e ndryshme të sigurisë, pranimi në shoqëri etj., çon drejt kërkimit të një mënyre tjetër për plotësimin e nevojave themelore.
“Disa hanë në mënyrë të pakontrolluar, disa përdorin substanca psikoaktive. Mosvetëdijësimi dhe mosnjohja e vetvetes e bën të vetën dhe atëherë bëjmë zgjedhje të këqija”, thotë Nikollovska Ristanovska.
Në këtë kontekst statistikat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se për nëntë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2023, në vendin tonë janë regjistruar 59.586 pacientë me diagnoza të lidhura me çrregullimet mendore. Pas skizofrenisë më të shumtat janë diagnozat e çrregullimeve mendore dhe çrregullimeve të shkaktuara nga përdorimi i substancave psikoaktive.
Përveç kësaj, sipas Nikollovska Ristanovska, tek adoleshentët ekziston një nivel alarmant i psikozës së hershme të adoleshencës, gjegjësisht sjelljeve destruktive, e cila, ndër të tjera, është rezultat i kohës së pakët cilësore që fëmijët e kalojnë me prindërit e tyre.
“Por prindërit gjithashtu i kushtojnë pak kohë edhe kujdesit për veten. Kur ata janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e tyre psiko-fizike, atëherë janë shembull i mirë edhe për fëmijët e tyre”, thotë Nikollovska Ristanovska.
Mirëpo, siç thotë Nikollovska Ristanovska në vitet e fundit vihet re një përmirësim i vetëdijesimit të njerëzve se shëndeti mendor kërkon punë dhe se është një proces. Ajo thotë se shumë njerëz kërkojnë mbështetje psikologjike, por në këtë rast e rëndësishme është qëndrueshmëria, pra te psikologu nuk mund të shkosh vetëm një herë, por ky është një proces i vazhdueshëm në të cilin nuk mund ta dish se kur do të arrihet përparimi dhe suksesi. Nga ana tjetër, nuk është mirë të shkosh gjatë gjithë kohës te psikologu dhe të kërkosh mbështetje vetëm prej tij. Sipas saj, për ta përmirësuar shëndetin mendor duhet të përmirësohen kapacitetet personale të njeriut.
Revizorët kanë konstatuar probleme të mëdha në sistemin shëndetësor kombëtar
Për momentin në Maqedoni mungojnë informacione relevante dhe të reja për gjendjen në institucionet shëndetësore, të cilat janë të përfshira drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për shëndetin mendor. Sipas raportit të fundit për gjendjen në shëndetësinë në Maqedoni nga Enti Shtetëror i Revizionit është konstatuar se në të mbisundon një kaos i madh, dezorganizim, joprofesionalizëm dhe bëhen shpenzime të mëdha që janë të paqëndrueshme. Në raportin e fundit të revizorëve theksohet mungesa e funksioneve elementare në sistemin shëndetësor të Maqedonisë.
“Mungesa e një sistemi të vetëm të integruar për lëshimin e udhëzimeve, raporteve mjekësore dhe përllogaritjeve për shërbimet shëndetësore të kryera, të cilat janë bazë për përgatitjen e faturave/raporteve mujore, krijon rrezik për lëshime dhe gabime”, thuhet në raportin e revizorëve.
Në revizionin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore rezulton se nuk ka kontroll adekuat se si shpenzohen paratë shtetërore të destinuara për shëndetësinë. Si rezultat i kësaj mungese të burimeve të disponueshme për popullatën, për kujdesin për shëndetin mendor shpesh përfshihen psikologë ose psikiatër privatë, që jo të gjithë mund t’i përballojnë financiarisht. Në planin afatgjatë gjendjet e këtilla kanë një ndikim kritik në shëndetin psiko-fizik të njerëzve, si dhe në shkallën e vdekshmërisë së popullatës.
BE-ja punon për përmirësimin e shëndetit mendor të qytetarëve të saj
Në qershor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian miratoi Komunikim për mbështetje të vendeve anëtare në krijimin e tyre kombëtar të një qasjeje multidisiplinare për shëndetin mendor dhe ndau 18 milionë euro për fushatat dhe 1,23 miliardë euro për mbështetje të vendeve anëtare në një qasje gjithëpërfshirëse.
Qasja e re qartëson se shëndeti mendor përfshin drejtpërdrejt shumë fusha të politikave, siç është punësimi, arsimi, hulumtimi, digjitalizimi, planifikimi urban, kultura, mjedisi jetësor dhe klima.
Të dhënat tregojnë se në kohën e pandemisë së Covid-19 në vitin 2020, 84 milionë njerëz, ose një në gjashtë banorë në BE kanë jetuar me gjendje shëndetësore mendore, duke përfshirë këtu edhe sëmundje të rënda si format e rënda të depresionit. Një hulumtim i Eurobarometrit i realizuar në qershor të vitit 2023 nxorri në pah se gjatë vitit të kaluar pothuajse gjysma e popullsisë së BE-së, 46 përqind – kishte përjetuar probleme emocionale ose psikosociale, siç është depresioni dhe ankthi.
Kjo nuk do të thotë se në BE ka një numër shumë të lartë të banorëve me probleme të shëndetit mendor, por statistikat janë rezultat i një hulumtimi gjithëpërfshirës dhe strategjive të shëndetit mendor në mbarë BE-në, të cilat i japin përparësi parandalimit dhe trajtimit të faktorëve socialë që ndikojnë në shëndetin mendor.
Pikërisht për këtë shëndeti mendor si fushë prioritare për politikëbërësit evropianë është gjithnjë e më i dukshëm, gjë që u theksua në fjalimin e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila në udhëzimet e saj politike për mandatin e ri të Komisionit Evropian 2024-2029 premtoi se do ta përforcojë punën për shëndetin preventiv, me një theks të veçantë tek shëndeti mendor.
A ka Maqedonia kapacitet për t’i ndjekur politikat shëndetësore evropiane?
Përndryshe, në vendet e Bashkimit Evropian sistemet kombëtare shëndetësore janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmirësimin e shëndetit mendor të popullatës, ndërsa performanca e tyre analizohet përmes cikleve të Semestrit Evropian – kornizë e cila përdoret për koordinimin e politikave ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian pret reforma efektive, por edhe reforma rigoroze, të cilat në plan afatgjatë do t’i ulin shpenzimet shëndetësore. Për këtë arsye, që nga fillimi i këtij cikli të semestrit, më shumë se një e treta e vendeve të BE-së kanë marrë rekomandime për reforma në sistemin shëndetësor.
Si vend kandidat për anëtarësim, Maqedonia në bisedimet me BE-në do ta ketë edhe temën e sistemit shëndetësor, sepse puna e sistemeve shëndetësore në mbarë BE-në duhet të jetë e koordinuar sipas Programit të BE-së për Shëndetësinë 2021-2027, ku shënohen të gjitha dobësitë e sistemeve shëndetësore pas pandemisë me Covid-19 dhe se si t’i tejkalojmë ato në plan afatgjatë. Programi duhet të sigurojë ndërtimin e një sistemi shëndetësor të fortë, më elastik dhe të qasshëm në nivel të BE-së. Për zbatimin e programit BE-ja ndau një buxhet prej 4,4 miliardë eurosh. “BE-ja për shëndetin”, siç quhet programi, ka si prioritet për Unionin shëndetin publik.
Kjo do të nënkuptonte se nëse Maqedonia do të bëhej shtet anëtar, efektiviteti, qasshmëria dhe qëndrueshmëria e sistemit të saj kombëtar shëndetësor do të analizohej bashkë me atë të atyre të shteteve anëtare si Gjermania dhe Suedia.
Për Komisionin Evropian shëndeti mendor është thelbësor si një fushë e sistemit shëndetësor, jo vetëm për shkak të shpenzimeve ekonomike, që janë rreth 600 miliardë euro në vit ose katër përqind e PVB-së në nivel të BE-së, por edhe për shkak të përpjekjeve për të siguruar një Evropë më të shëndetshme, më të lumtur dhe më produktive. Kjo është arsyeja se pse disa nga vendet anëtare të BE-së si Finlanda, tashmë tradicionalisht mbajnë vendin e parë në renditjen globale për vendet më të lumtura në botë, gjë që është në korrelacion të drejtpërdrejtë me statusin e vendeve më të zhvilluara në botë, sepse ky tregues e merr parasysh mbështetjen sociale, jetëgjatësinë e shëndetshme, si dhe aftësinë për të bërë zgjedhje personale në jetë.