Kallëzim penal kundër kryetarit dhe pesë punonjësve të Karposhit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Departamenti i Policisë Kriminale, Sektori për krim ekonomik dhe korrupsion, në koordinim me Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka dorëzuar kallëzim penal në kundër kryetarit të Komunës së Karposhit në Shkup, pesë punonjësve të punësuar në sektorin për Urbanizëm të komunës dhe një personi […]

tetor 3, 2024 - 22:00
 0  8
Kallëzim penal kundër kryetarit dhe pesë punonjësve të Karposhit për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Departamenti i Policisë Kriminale, Sektori për krim ekonomik dhe korrupsion, në koordinim me Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka dorëzuar kallëzim penal në kundër kryetarit të Komunës së Karposhit në Shkup, pesë punonjësve të punësuar në sektorin për Urbanizëm të komunës dhe një personi juridik nga Shkupi, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar, transmeton Portalb.mk.

“Pasi është paraqitur kërkesa për përcaktimin e gjendjes juridike të një objekti pa leje nga personi juridik, pesë punonjësit në komunë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në të cilin në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, kanë konstatuar se gjoja objektet sportive dhe rekreative, fusha tenisi i plotësojnë kushtet për legalizimin e tyre, edhe pse objektet e këtij lloji janë të përkohshme dhe nuk mund t’i nënshtrohen legalizimit. Më pas, ata së bashku me kryetarin e komunës kanë përgatitur dhe nënshkruar miratimin urbanistik, dhe pas pagesës së taksës përkatëse të pronës, kanë përgatitur dhe nënshkruar vendimin për përcaktimin e statusit juridik të objektit të paligjshëm,” informoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Po ashtu, ata shtuan se personit juridik i kanë mundësuar të regjistrojë objektet e pretenduara pa leje në sipërfaqe të përgjithshme prej 3,993 metra katrorë, përkatësisht të përfitojë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 147,341,700 denarë.

Ndaj kësaj ka reaguar Komuna e Karposhit duke e vlerësuar atë si “tendenciale keqdashëse dhe të motivuara politikisht”.

Nga Komuna e Karposhit theksojnë se shërbimet e komunës e kanë shqyrtuar çështjen për legalizimin e objekteve sportive të hotelit “Aleksandar Palace” dhe se është zgjidhur në përputhje me ligjet në fuqi.

“Komuna e Karposhit pohon kategorikisht se legalizimi është i ligjshëm për këto objekte sportive, sepse çdo gjë që lëshohet me leje ndërtimi është e legalizuar, kurse për objektet personi juridik ‘Alexandar Palace’ ka leje ndërtimi nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, të cilën nuk e kanë zbatuar në kadastër. Argument shtesë është fakti se në kohën e Nikolla Gruevskit është lëshuar leje ndërtimi për fusha tenisi në territorin e Komunës së Karposhit”, thuhet në reagimin e Komunës së Karposhit.

Nga aty janë të bindur se kallëzimi penal do të refuzohet si i papranueshëm për arsye se organet kompetente komunale me saktësi i kanë vërtetuar faktet dhe kanë bërë legalizimin në përputhje me dispozitat ligjore të nxjerra nga qeveria e Nikolla Gruevskit.