Banorët e objektit të djegur në Çair nuk e dinë se kur do të kthehen në shtëpi, kërkojnë përgjigje nga autoritetet
Zjarri që përfshiu ditën e djeshme godinën në rrugën “Prokhor Pçinnski” u shua mëngjesin e sotëm, por banorët ende nuk kanë përgjigje se çfarë e shkaktoi zjarrin, përmasat e dëmeve në banesat e tyre dhe më e rëndësishmja se kur do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk. “Kam fjetur sërish në […]
Zjarri që përfshiu ditën e djeshme godinën në rrugën “Prokhor Pçinnski” u shua mëngjesin e sotëm, por banorët ende nuk kanë përgjigje se çfarë e shkaktoi zjarrin, përmasat e dëmeve në banesat e tyre dhe më e rëndësishmja se kur do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk.
“Kam fjetur sërish në makinë sonte. Na thanë se ndoshta do të kthehemi për një javë, ndoshta për një muaj, ende nuk dihet asgjë”, tha për Meta.mk një studente nga Turqia që jeton në objekt.
Zjarri është shuar mëngjesin e sotëm, në orën 09:30, pas më shumë se 30 orë.
Fasadat e pallatit dhe të shtëpisë afër janë të zeza, si dhe janë djegur edhe kondicionerët në tarraca.
“Kemi kaluar natën në shtëpinë e një të afërmi, por kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Unë kam grua dhe fëmijë dhe nuk besoj se do të kthehemi për një javë. Gjërat themelore janë problem. Për shembull, çelësat e makinës janë në banesën time, nuk kam si t’i marr”, na tha një nga banor.
Policët në terren nuk dhanë detaje rreth situatës. Ata vetë nuk kishin hyrë ende në ndërtesë, prisnin inspektimin dhe ekspertët. Dëmi total nuk dihet gjithashtu.
“Nuk e dimë shkallën e dëmtimit në dyqan. Rëndësi ka që jemi shëndoshë e gjallë, dëmi material nuk është aq i rëndësishëm”, tha një nga punonjësit e dyqanit që ndodhet në katin përdhesë të ndërtesës.
Mungesa e përgjigjeve nga autoritetet shkaktoi zhgënjim te turma e qytetarëve të mbledhur para godinës.
Tensioni u përshkallëzua kur një burrë me xhaketë nga zjarrfikësit vullnetar doli nga ndërtesa me duar në pranga pas shpine, i shoqëruar nga dy efektivë policie. Ai u vendos në makinën e policisë, e cila u largua menjëherë. Një nga policët e pranishëm më pas tha për Meta.mk se është arrestuar për shkak se ka hyrë në objekt, por nuk dihej nëse është banor apo hajdut.
Përmes një njoftimi për media, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se dy persona janë privuar nga liria për shkak të tentativës për vjedhje në objekt.
Pas arrestimit, policia ka shpërndarë qytetarët nga para ndërtesës dhe ka vendosur një shirit policie në vetë rrugë, gjë që sigurisht nuk ka ndihmuar në qetësimin e banorëve të shqetësuar.
“Dje fjetëm nën qiell të hapur. Jemi njëqind qiraxhinj, të gjithë ia dalim vetë. Ku është kryetari i komunës të vijë të shohë se çfarë po ndodh?”, pyeti një nga qiramarrësit.
Në pallatin e rrugës “Prokhor Pçinski” jetojnë mbi 100 persona, të cilët lanë shtëpitë e tyre, duke lënë gjithçka pas, kur zjarri shpërtheu dje rreth orës 2 të mëngjesit. Disa, siç dëshmojnë, kanë lënë hapur edhe dyert e banesave të tyre, gjë që është objektiv i lehtë për hajdutët.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri i cili u shua nga 7 automjete dhe 20 zjarrfikës, ka nisur në katin e nëndheshëm pra në pjesën e magazinës që shtrihet në të gjithë bazën e objektit, ku dyshohet se kishte shumë produkte plastike etj. Tashmë magazina është mbushur me ujë pasi është shuar nga zjarrfikësit.
Mbi 40 banorë të pallatit, si dhe një zjarrfikës që ka thithur tym, kanë kërkuar dje ndihmë mjekësore dhe 15 fëmijë janë pranuar në Klinikën e Fëmijëve. Ata janë të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore.